Kryeministri Edi Rama ka vlerësuar rolin thelbësor që ka pasur Komisioni i Venecias në ndërtimin dhe forcimin e demokracisë shqiptare.
Në konferencën për 30-vjetorin e partneritetit mes Shqipërisë, Këshillit të Europës dhe Komisionit të Venecias, Rama u shpreh se pa Komisionin e Venecias do të kishte qenë e pamundur që Shqipëria të merrte procesin e vettingut.
Kryeministri shtoi se simbolikisht Komisioni i Venecias dhe demokracia shqiptare janë shokë materniteti, pasi kanë lindur në të njëjtën kohë, në vitit 1990.
Rama: Simbolikisht mund të thuhet se Komisioni i Venecias dhe demokracia shqiptare janë shok maternitetit, kanë lindur në 1990. Komisioni i Venecias si një fëmijë i Evropës së ribashkuar në vlerat e lirisë dhe me dëshirën për tu njësuar me parimet demokracisë, dhe demokracia shqiptare si një ëndërr e shumë ëndërruar që më në fund pa hapur shtegun e saj. Sot Komisioni i Venecias ndër të tjera ka në bilancin e saj edhe kontributin e paçmuar për Kushtetutën e parë të shtetit demokratik shqiptar, asaj të vitit 1998.
Komisioni i Venecias ka në bilancin e vet edhe një sërë ndërhyrjesh të rëndësishme në procese ku mendimi i Komisionit ka luajtur rol vendimtar. Komisioni i Venecias ka në bilancin e vet dy kontribute kyçe të zhvillimeve demokratike, kontributet për Kodin Zgjedhor që kanë mbështetur thelbësisht përmirësimin e këtij kodi dhe kanë forcuar standardet demokratike dhe kontributin historik, për reformën më të thellë dhe më të vështirë që ka bërë Shqipëria, reformën në drejtësi. Komisioni ka qenë udhërrëfyes i matur dhe një autoritet që na ka ndihmuar të orientohemi në drejtimin e duhur.
Pa kontributin e Komisionit të Venecias do ishte e pamundur procesi i vettingut, proces kyç në reformën në drejtësi. Një proces që deri në momentin e opinionit të Komisionit të Venecias kishte jo pak kundërshti në rrethet profesionale. Komisioni i Venecias ka fituar edhe fuqinë për tu imponuar dhe respektuar në të gjitha instancat. Opinionet e Venecias respektohen plotësisht në çdo nivel ndërkombëtar lidhur me çështjet që kanë të bëjnë me shtetin e të drejtës.
/vizionplus.tv

