Nga Komisioni thonë se qëllimi nuk është të vendoset një edukim fetar me karakter dogmatik, por një lëndë që do të ndihmojë nxënësit të kuptojnë rëndësinë e tolerancës, bashkëjetesës dhe trashëgimisë shpirtërore. Nga MASH kanë konfirmuar se propozimi është pranuar dhe se do të shqyrtohet gjatë javës së ardhshme
Anëmsha SHABANI
Shkup, 14 tetor – Edukimi fetar mund të rikthehet në shkollat e vendit, këtë herë si pjesë e detyrueshme e programeve mësimore nga klasa e parë deri në fund të arsimit të mesëm. Propozimi vjen nga Komisioni për Marrëdhëniet me Komunitetet Fetare, i cili i është drejtuar zyrtarisht Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës (MASH) dhe Qeverisë, duke kërkuar përfshirjen e edukimit fetar në lëndët ekzistuese si etika, etika e feve dhe trashëgimia kulturore e fetare.
Propozimi ka marrë mbështetjen e të pesë bashkësive fetare të njohura kushtetuese në vend, si dhe të Shoqatës së Mësuesve të Fesë, të cilët e shohin këtë si një mënyrë për të forcuar vlerat morale te nxënësit. “Mësuesit fetarë kanë pësuar dëme të mëdha gjatë dekadës së fundit nga ndryshimet ligjore në arsim. Ndërkaq, respekti për normat morale që mëson kryesisht edukimi fetar mund të jetë vetëm i dobishëm për shoqërinë dhe në asnjë rast i dëmshëm.” thuhet në reagimin e Komisionit për Marrëdhëniet me Komunitetet Fetare.
Nga Komisioni thonë se qëllimi nuk është të vendoset një edukim fetar me karakter dogmatik, por një lëndë që do të ndihmojë nxënësit të kuptojnë rëndësinë e tolerancës, bashkëjetesës dhe trashëgimisë shpirtërore. Programi, sipas tyre, do të hartohet në mënyrë që të përfshijë elemente kulturore, etike dhe historike të feve kryesore, pa favorizuar asnjërën.
Nga MASH kanë konfirmuar se propozimi është pranuar dhe se do të shqyrtohet gjatë javës së ardhshme. Ndërkohë, përfaqësuesit e bashkësive kryesore fetare në vend theksuan rëndësinë e dialogut dhe bashkëpunimit ndërfetar. “Ekziston një bashkëpunim i ngushtë mes bashkësive përmes të cilit mund të diskutohen çështje të ndjeshme pa krijuar tensione, dhe shembulli i këtij bashkëpunimi po ndiqet edhe nga besimtarët e rinj”, thonë përfaqësuesit e bashkësive kryesore fetare.
Megjithatë, ideja ka shkaktuar diskutime në qarqe akademike dhe shoqërore. Për disa ekspertë të arsimit, futja e një lënde të tillë mund të rrezikojë parimin kushtetues të ndarjes së shtetit nga bashkësitë fetare. Ata paralajmërojnë se çdo përfshirje e fesë në arsimin publik duhet të bëhet me kujdes të veçantë dhe në përputhje me standardet evropiane të arsimit laik. Në anën tjetër, përfaqësues nga Komisioni theksojnë se propozimi nuk bie ndesh me sekularizmin, por përpiqet të krijojë një kuptim më të gjerë për diversitetin fetar dhe kulturor që ekziston në shoqërinë tonë.
Ndryshe, edukimi fetar si lëndë u fut për herë të parë në vitin 2008, gjatë qeverive të atëhershme të VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së, ku nxënësve të klasës së pestë iu ofrua zgjedhja midis “Edukatës Fetare” dhe “Etikës së Religjioneve”. Por pas reagimeve të forta të organizatave civile, Gjykata Kushtetuese në janar të vitit 2009 e rrëzoi vendimin, duke vlerësuar se futja e lëndës së edukatës fetare bie ndesh me parimin e sekularizmit dhe ndarjes së shtetit nga bashkësitë fetare. (koha.mk)

