-Disa ditë më parë, kryesuesi i listës për këshilltarë në Komunën e Kumanovës nga AKI, ka shpërndarë një gënjeshtër të pastër, duke pretenduar se pas një “vërejtjeje” nga Kryeministri, unë paskam kërkuar falje pse kam folur shqip. Dua ta them publikisht, qartë dhe pa ekuivoke: Asnjëherë, në asnjë moment, nuk kam kërkuar falje për përdorimin e gjuhës shqipe. Përkundrazi, jam krenar që e përdor dhe e mbroj gjuhën shqipe në çdo institucion të këtij shteti — kjo është detyrë ligjore dhe kombëtare. Përhapja e qëllimshme e gënjeshtrave është taktikë e njerëzve që kanë humbur lidhjen me realitetin dhe dinjitetin. Kush për 24 vite ka shërbyer verbërisht në struktura që s’kanë bërë asgjë për Kumanovën dhe shqipëtarët dhe sot mundohet të mbulojë dështimet e veta me shpifje. Kjo lojë është e njohur dhe nuk i mashtron më qytetarët. E vërteta është më e fortë se çdo trill politik.
Dr. Arsim Idrizi Drejtor i Inspektoratit për Përdorimin e Gjuhëve

