Pesë persona, përfshirë një fëmijë, janë dërguar në spital pas rrëzimit të një helikopteri të shtunën pasdite në qytetin Huntington Beach të Kalifornisë Jugore.
Incidenti ndodhi rreth orës 14:00 me orën lokale, pranë një parkingu në Pacific Coast Highway, midis Beach Boulevard dhe Twin Dolphins Drive, sipas Shërbimit të Zjarrfikësve të Huntington Beach.
Zyrtarët lokalë konfirmuan se dy personat që ndodheshin në helikopter u nxorën të gjallë, ndërsa tre kalimtarë që ndodheshin në rrugë u plagosën. Të gjithë të lënduarit u transportuan në spital, por gjendja e tyre shëndetësore nuk është bërë ende e ditur.
Pamje dramatike të publikuara në rrjete sociale tregojnë helikopterin duke u rrotulluar disa herë para se të përplaset me disa palma dhe me shkallët e një ure për këmbësorë që kalon mbi PCH-në, pranë hotelit Hyatt Regency Huntington Beach Resort and Spa. Video të tjera tregojnë një objekt duke rënë nga helikopteri pak çaste përpara përplasjes.
Shkaku i përplasjes mbetet ende i paqartë. Administrata Federale e Aviacionit (FAA) dhe Bordi Kombëtar për Sigurinë në Transport (NTSB) janë informuar për aksidentin dhe kanë nisur hetimet.
/vizionplus.tv