Pas deklaratës së Bujar Osmanit se Mickoski dhe VMRO janë albanofobë dhe i urrejnë shqiptarët, kanë reaguar nga partia më e madhe në pushtet.
“Osmani dhe BDI, në pritje të debaklit që do t’i godasë në zgjedhjet e ardhshme lokale, me qëllim që të fitojnë ndikim mediatik, po ngrenë përsëri pluhur në publik, duke përhapur etno-nacionalizëm dhe gënjeshtra tek qytetarët. Mickoski dhe VMRO as nuk urrejnë askënd, as nuk janë albanofobë. Mund të jenë vetëm ata nga BDI, të cilët me sa duket nuk e duan popullin e tyre”, njoftoi VMRO në reagim ndaj deklaratës së kandidatit për kryetar të Çairit nga radhët e BDI-së.
Nga VMRO thonë se nëse Osmani dhe BDI do ta donin popullin e tyre, nuk do të kishin nënshkruar, siç thonë, marrëveshje kapitullimi me Bullgarinë dhe Greqinë, nuk do të kishin votuar për ndryshimin e emrit dhe Kushtetutës, nuk do të kishin luajtur futboll në ministri, nuk do të kishte të rinj që blejnë qendra tregtare në qendër të qytetit.
“Nëse Osmani dhe BDI do ta donin popullin e tyre, siç thonë ata, nuk do të kishte banorë të Haraçinës, Bogovinës, Dollnenit, Kërçovës, Likovës, Plasnicës, Strugës, Tearcës, Sarajit, që ecin nëpër baltë, pa furnizim me ujë, pa kanalizime, pa kushte themelore njerëzore për jetesë.
Ne besojmë se Osmani dhe BDI, para se të dalin të mbajnë fjalime para publikut, së pari duhet të shikojnë veten në pasqyrë”, thuhet në reagimin e VMRO-së.

