Presidenti amerikan, Donald Trump është takuar me presidentin e Sirisë, Ahmed al-Sharaa, në Arabinë Saudite, një ditë pas njoftimit se SHBA-ja do të heqë të gjitha sanksionet ndaj Sirisë.
Takimi u zhvillua gjatë një konference të Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit (GCC) dhe ishte hera e parë që një president amerikan takohet me një president sirian në 25 vjet.
Trump e vlerësoi Sharaa-n, duke e cilësuar si një “djalë të fortë” dhe një “luftëtar” me një të kaluar të rëndë.
Siç raporton The Guardian, takimi përfaqëson një hap të rëndësishëm në mundësinë e normalizimit të marrëdhënieve mes SHBA-së dhe Sirisë, pas viteve të izolimit të vendit.
Trump ka shtuar se Sharaa kishte një mundësi të jashtëzakonshme dhe mund të ndihmonte në ruajtjen e unitetit të Sirisë.
Takimi është parë si një shenjë që mund të hapë rrugën për riintegrimin e Sirisë në arenën ndërkombëtare pas rënies së regjimit të Bashar al-Assad.
Pas takimit, qytetarët sirianë, si Hossam al-Khouli, një pronar dyqani në Damask, shprehën optimizëm, duke thënë se kjo ishte një shenjë e shpresës dhe mundësisë për rikthimin e turizmit dhe zhvillimit në vend.
Në këtë takim, Trump gjithashtu deklaroi se Sharaa ishte dakord që Siria të bashkohej me marrëveshjet e Abrahamit, të cilat normalizojnë marrëdhëniet e Sirisë me Izraelin, ashtu siç ndodhi me Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahreinin dhe Marokun në vitin 2020.
Sanksionet e SHBA-së ndaj Sirisë u vendosën pas shtypjes brutale të protestuesve paqësorë nga regjimi i Bashar al-Assad në vitin 2011, dhe ato janë mbajtur për disa vite, ndërkohë që Perëndimi ka vlerësuar qeverinë e re të udhëhequr nga islamistët në Damask.

