Kreu i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, një ditë më parë njoftoi largimin nga qeveria dhe mundësinë e bashkëpunimit me BDI-në, por në këtë moment munguan zv.kryeministri Arben Fetai dhe deputeti Salim Sulejmani. Taravari tha se ishin të koordinuar, por ata nuk janë prononcuar ende.
Vendimi është kundërshtuar publikisht nga anëtarë të kryesisë qendrore, funksionarë dhe aktivistë të ASH-së. Latif Arifi e quajti këtë veprim “të papërgjegjshëm dhe në kundërshtim me vullnetin e anëtarësisë”, ndërsa Lulzim Aliti e cilësoi “tradhti ndaj aspiratave për ndryshim”.
Edhe këshilltari në Ministrinë e Shëndetësisë, Sabri Aziri, dha dorëheqje me një mesazh simbolik: “Gjëja më e rëndësishme është të largohesh në kohë”.
Aktivistët Ismail Skenderi dhe Adnan Demishi kërkuan publikisht dorëheqjen e Taravarit dhe e kundërshtuan çdo bashkëpunim me BDI-në. Skenderi kërkoi që Aleanca të drejtohet nga figura të reja si Valbon Limani, përndryshe “rrezikon të humbë edhe Gostivarin”.
Ndërkohë, partnerët në ekzekutiv, VMRO-DPMNE dhe VLEN, theksuan se shumica e anëtarësisë së ASH-së nuk mbështet vendimin e Taravarit dhe kërkuan që partia të mbetet pjesë e projektit për ndryshim. Alsat-m

