Kumanovë, 8 maj– Kryetari i partisë Levica, Dimitar Apasiev, ka mbërritur sot në Moskë, ku do të marrë pjesë në manifestimet zyrtare për shënimin e 80-vjetorit të fitores ndaj fashizmit në Luftën e Dytë Botërore. Ceremonitë në kryeqytetin rus zhvillohen tradicionalisht më 9 maj, datë që në pjesën tjetër të Evropës njihet si Dita e Evropës. Pjesëmarrja e Apasievit në paradën ushtarake në Sheshin e Kuq vjen me ftesë zyrtare nga autoritetet ruse.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, ai ka ironizuar përçarjen e orientimeve politike mes vendeve perëndimore dhe Rusisë, duke shkruar:
“Dikush në rreshtin e fundit te Trampi, e dikush me ftesë zyrtare në Moskë.”
Një ditë më parë, ai komentoi edhe mbi frikën e liderëve për të udhëtuar drejt Rusisë për shkak të sulmeve me dronë në kryeqytet, duke shkruar: “Nuk jam lider botëror, por aterova në Moskë.”
Udhëtimi i Apasievit pritet të sjellë diskutime të reja në opinionin publik, veçanërisht në kontekstin e zhvillimeve të fundit gjeopolitike dhe pozicionimit të partisë së tij në raport me Perëndimin.

