Reagimi i plotë i BDI-së:
Reagim i ashpër ndaj hipokrizisë dhe qëndrimeve të dyfishta të LSDM-së: Zhvillimi ekonomik nuk ndalet nga lojërat politike
Ne, këshilltarët e Bashkimit Demokratik për Integrim në Këshillin Komunal të Kumanovës, ndjejmë detyrim moral dhe politik që t’i përgjigjemi me vendosmëri shpifjeve dhe hipokrizisë që përfaqësuesit e LSDM-së kanë shfaqur publikisht në lidhje me miratimin e Planit të Detajuar Urbanistik për ndërtimin e supermarketit “Lidl”.
1. LSDM nuk mund të fshihet pas gjysmë të vërtetave – ose je për zhvillim, ose je pengesë për të
Është hipokrizi e pastër kur LSDM deklaron se e mbështet ndërtimin e Lidl-it, por kundërshton lokacionin. Nëse je për investime, nuk bllokon lokacionin që është përzgjedhur nga kompania sipas standardeve dhe kritereve teknike. Çfarë mesazhi i dërgon një investitori serioz kur një parti politike pretendon të diktojë ku duhet të investojë një kompani ndërkombëtare? Kjo nuk është as mbështetje për qytetin, as zhvillim ekonomik – kjo është bllokadë politike dhe pengesë për punësim.
2. LSDM s’ka kredibilitet të flasë për interesa publike kur hesht për investimet kapitale
LSDM nuk ka ngritur kurrë zërin për mungesën e investimeve kapitale në Kumanovë. As kur buxheti i komunës është miratuar me projekte që s’kanë pasur impakt të dukshëm për qytetarët. As kur projektet e premtuara janë lënë në letër. Pse nuk i ka shqetësuar LSDM-në mungesa e investimeve në infrastrukturë, arsim apo shëndetësi? Heshtja e tyre në këto raste është bashkëfajësi. Tani papritur kujtohen për “interesin publik” kur bëhet fjalë për një investim që do të sjellë 1000 vende pune?
3. Akuzat për korrupsion – tentativë për të shpëtuar nga përgjegjësia politike
LSDM po përpiqet me çdo kusht të largojë vëmendjen nga dështimet e saj politike, duke hedhur akuza të pabazuara për korrupsion ndaj kryetarit të komunës dhe këshilltarëve të BDI-së. Këto janë spekulime që nuk kanë asnjë provë dhe qëllimi i tyre është i qartë: të helmohet opinioni publik dhe të pengohet çdo hap përpara i qytetit. Ne sfidojmë LSDM-në të paraqesë fakte, jo fjalë boshe.
4. Ne nuk i nënshtrohemi lojërave politike – veprojmë për të mirën e qytetarëve
BDI ka treguar me vepra se është për zhvillim dhe investime. Vendimet tona janë të mbështetura në ligj, në transparencë dhe mbi të gjitha në interesin publik. Ne nuk veprojmë sipas urdhrave të partive të tjera dhe nuk bëhemi peng i lojërave politike të LSDM-së që s’e ka pasur kurrë prioritet qytetarin e Kumanovës.
5. Zhvillimi i Kumanovës nuk do të ndalet – kushdo që e pengon, është kundër qytetarëve
PDU-ja për ndërtimin e Lidl-it nuk është projekt i një partie – është një mundësi për gjithë qytetin. Ai që tenton ta ndalë, për çfarëdo justifikimi politik, është duke vepruar kundër qytetarëve dhe të ardhmes së tyre. Ne do ta mbështesim çdo projekt që sjell punë, mirëqenie dhe zhvillim – pa marrë parasysh se kush mundohet ta ndalë. Televizioni News

