Këshilltari komunal nga radhët e Bashkimit Demokratik për Integrim (opozitë) në Komunën e Kumanovës ka reaguar ashpër ndaj vendosjes së një kioske urbane në hapësirën publike pranë stacionit të autobusëve “Seventusher Ser Ballkom”, duke e cilësuar atë si një akt të papërgjegjshëm, të pakoordinuar dhe në dëm të interesit qytetar.
Në deklaratën e bërë publike, këshilltari e ka konsideruar këtë ndërhyrje si një vendim të marrë pa asnjë transparencë dhe pa përfshirjen e komunitetit, duke renditur një sërë pasojash negative që tashmë janë evidentuar në terren:
• Bllokim i trotuarit dhe pengesë për qarkullimin e lirë të qytetarëve;
• Rrezik për sigurinë rrugore, në një zonë të frekuentuar nga autobusë dhe këmbësorë;
• Dëmtim i drejtpërdrejtë i bizneseve lokale për shkak të zënies së pamjes dhe aksesit;
• Shkelje e standardeve të planifikimit urban dhe mungesë e analizës së ndikimit.
“Ky veprim nuk është thjesht një gabim teknik – është pasojë e një qasjeje arbitrare dhe të mbyllur, ku qytetari nuk ka zë”, thuhet në reagim.
BDI, në cilësinë e saj si opozitë në këshillin komunal, kërkon shkarkimin e personave përgjegjës për këtë vendim dhe largimin e menjëhershëm ose zhvendosjen e kioskës në një lokacion tjetër që nuk cënon qarkullimin dhe zhvillimin ekonomik të zonës.
“Qytetari është prioriteti ynë i parë. Hapësira publike është pronë e përbashkët, dhe nuk mund të kthehet në pronë të interesave të ngushta biznesore apo marrëveshjeve të errëta të zyrave të pushtetit lokal”, përfundon deklarata./Televizioni News

