Fshatrat kufitar kanë një tokë pjellore, e cila jep rendimente të larta sidomos në kopshtari, por edhe në prodhimtarinë e bimëve foragjere. Komuna e Dibrës në ueb faqen e saj ka informuar se gjithmonë ka patur bashkëpunim të ngushtë me blegtorët dhe banorët të fshatrave malor
Vjollca SADIKU
Dibër, 17 prill – Bashkëpunimi mes pushtetit vendor në Dibër dhe bashkësive lokale të fshatrave është në nivelin e duhur. Pa marrë parasysh a bëhet fjalë për fshatrat malorë ose për fshatrat ultësinor, Komuna e Dibrës u del në krah banorëve si dhe bujqve dhe blegtorëve të cilët kanë nevojë për ndërtimin e parkingjeve, pastrimin e rrugëve, pastrimin e vijave për ujitje të fushës, grumbullimit të mbeturinave si dhe nevojave të tjera. Ashtu ndodh edhe me aktivitetet që ka ndërmarrë Komuna e Dibrës që ka të bëj me pastrimin e vijave ujore që përdoren për ujitjen e fushës, sidomos në fshatrat kufitar të Dibrës ,ku janë fshatrat pa banorë por bujqësia dhe blegtoria janë prezent.
Në kuadër të angazhimit të komunës për tejkalimin e problemeve që kanë bujqit e kësaj ane, këto ditë ka filluar edhe pastrimi i vijave të ujit që përdoren për ujitje të tokës pjellore. Fshatrat kufitar kanë një tokë pjellore, e cila jep rendimente të larta sidomos në kopshtari, por edhe në prodhimtarinë e bimëve foragjere. Komuna e Dibrës në ueb faqen e saj ka informuar se gjithmonë ka patur bashkëpunim të ngushtë me blegtorët dhe banorët të fshatrave malor. ”Në bashkëpunim të ngushtë me përfaqësuesit e fshatrave, angazhohemi vazhdimisht që t’u dalim në ndihmë banorëve në realizimin e kërkesave dhe nevojave të tyre. Gjatë takimeve të mbajtura në fillim të muajit prill, u evidentua domosdoshmëria për pastrimin e vijave ujore që shërbejnë për ujitjen e fushave bujqësore në fshatra. Në këtë drejtim, u angazhuam që të sigurojmë mjetet e nevojshme dhe puna ka filluar,” thuhet në sektorin për informim të komunës.
Sipas po të njëjtit burim, ftohen kryetarët e bashkësive lokale të paraqiten në komunë, me qëllim që ky aktivitet të menaxhohet sa më mirë dhe në interes të përbashkët të komunitetit. Deri tani, aktivitetet kanë dhanë rezultate shumë të mira, thuhet në kumtesë. Të theksojmë se Komuna e Dibrës të gjithë këto aktivitete shumë të nevojshme për bujqit dibran i realizon me mjete nga buxheti lokal. Në pastrimin e vijave me mekanizmin e duhur marrin pjesë edhe shumë bujq. Në bisedën që patëm me përfaqësues të shoqatës të bujqve dibran, u informuam se pastrimi i vijave ka qenë shumë i nevojshëm meqë gjatë vjeshtës dhe dimrit, shumë vija janë bërë jofunksionale, dhe ka qenë e domosdoshme që vijat të pastrohen. Ata kanë potencuar se pastrimi i vijave në fshatrat Ame, Banjisht, Spas, Solokiq, Kunjarë , Bomovë e tjerë realizohet me sukses.
Ky aktivitet ka një domethënie shumë të madhe për zhvillimin e blegtorisë në Dibër dhe rajon. Toka në fshatrat në fjalë është shumë pjellore dhe angazhimi i komunës në bashkëpunim me bujqit do të jep efekte shumë pozitive. Sa u takon fshatrave malorë të Dibrës, siç janë Kosovrasti i Poshtëm, Kosovrasti i Epërm dhe Mogorçja, atje janë realizuar projekte për ndërtimin e parkingjeve , sanimin e rrugëve malore por edhe grumbullimin e organizuar të mbeturinave. Së shpejti do të fillojë edhe projekti për furnizimin me ujët të fshatit Mogorçë. (koha.mk)