Close Menu
TV NewsTV News
  • Maqedoni
  • Rajoni
  • Botë
  • Sport
  • Kulturë
  • Showbiz
  • Diaspora
  • Lifestyle
  • Kulturë
  • Shëndetësi
  • Emisione
  • Emisione Fetare
Lajmet e fundit

Mickoski: Nuk ka pengesa për përdorimin e gjuhës shqipe në provimin e jurisprudencës

24 Maj, 2026

Ardian Gjini zgjidhet zyrtarisht kryetari i ri i AAK-së

24 Maj, 2026

Gjesti: Namazi është e vetmja qetësi që po më mban në jetë

24 Maj, 2026

Vuçiq: Jap dorëheqje…!

24 Maj, 2026

25 vjet nga Marrëveshja e Prizrenit, çka u morën vesh dhe çka u realizua?!

24 Maj, 2026

Detaje të reja nga të shtënat me armë në Haraçinë

24 Maj, 2026

Publicisti Salihu vrapoi 45 kilometra, nga banesa në Shkup deri te shtëpia në vendlindje

24 Maj, 2026

Borxhi “shpërthen” mbi 10 miliardë € – paralajmërohet krizë ekonomike

24 Maj, 2026

VLEN: Ne jemi aty ku BDI nuk ishte kurrë, kundër çdo përpjekje që e largon vendin nga rruga euroatlantike

24 Maj, 2026

ASH: Kumanova nuk duhet të shndërrohet në skenë të provokimeve nacionaliste

24 Maj, 2026
Facebook X (Twitter) Instagram
TV NewsTV News
E hënë, 25 Maj
  • Maqedoni
  • Rajoni
  • Botë
  • Sport
  • Kulturë
  • Showbiz
  • Diaspora
  • Lifestyle
  • Kulturë
  • Shëndetësi
  • Emisione
  • Emisione Fetare
TV NewsTV News

NJË MUAJ NGA TRAGJEDIA NË KOÇAN: Hetimet zgjerohen, dyshimet rriten!

Suad AvdiuBy Suad Avdiu16 Prill, 2025 Maqedoni Pa Komente8 Mins Read
Share
Facebook Twitter LinkedIn Pinterest Email

Më 16 mars, Maqedonia e Veriut u përball me tragjedinë më të rëndë që nga pavarësia e shtetit. Zjarri shkatërrues në diskotekën “Pulse” në Koçan u mori jetën 61 personave, shumica të ri në moshë. Një muaj më vonë, hetimet po thellohen, përgjegjësia po kërkohet në çdo nivel institucional, ndërsa në opinionin publik janë shtuar dyshimet se hetimi për këtë tragjedi po zhvillohet në mënyrë selektive

Ersan PAJAZITI

Shkup, 16 prill – Një muaj pas natës së tmerrit në diskotekën “Pulse” në Koçan, vendi ende tronditet nga pasojat e tragjedisë që la pas vetes 61 viktima dhe gati 200 të plagosur. Ngjarja, e cilësuar si fatkeqësia më e madhe në historinë e pavarësisë së Maqedonisë së Veriut, ka nxjerrë në pah mangësitë e thella sistemore dhe dështimet institucionale që, sipas Prokurorisë, janë akumuluar për më shumë se një dekadë. Hetimet që nisën menjëherë pas zjarrit janë zgjeruar në përmasa të mëdha, duke përfshirë deri më tani mbi 60 persona fizikë dhe tre persona juridikë, mes tyre pronari i diskotekës, kryetarë aktualë dhe të mëparshëm të komunës së Koçanit, ish-ministra të Ekonomisë, ish-drejtorë të Inspektoratit Shtetëror të Tregut, ish-drejtorë të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim dhe ish-zyrtarë policorë. Hetimi ende po vazhdon dhe në të janë përfshirë 13 prokurorë.

Deri më tani janë kryer një numër i madh kontrollesh, janë marrë në pyetje dëshmitarë dhe janë mbledhur mbi një mijë dëshmi materiale. Fillimisht, hetimi përfshinte 34 persona fizikë dhe tre persona juridikë, mes tyre edhe ish-ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi, kryetari aktual i komunës së Koçanit, Ljupço Papazov, i cili dha dorëheqje pas tragjedisë, dy kryetarët e mëparshëm të komunës, Ratko Dimitrievski dhe Nikollço Iliev, si dhe ish-drejtori i Inspektoratit të Tregut.

Gjatë fundjavës, hetimi u zgjerua me 19 persona të rinj, përfshirë tre ish-ministra të Ekonomisë, drejtorin aktual dhe dy ish-drejtorë të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, tre inspektorë ndërtimorë të autorizuar në Komunën e Koçanit, tre zyrtarë të Ministrisë së Ekonomisë, dy sekretarë shtetërorë në të njëjtin dikaster dhe katër inspektorë të Tregut në Inspektoratin Shtetëror të Tregut. Me hetimin nuk është përfshirë ministri aktual i Ekonomisë, Besar Durmishi, sepse sipas Prokurorisë, deri tani nuk ekziston asnjë dëshmi që të jetë kërkuar prej tij zgjatja e licencës për diskotekën “Pulse”.

Dje, me urdhër të prokurorit publik, ka nisur edhe arrestimi i shtatë zyrtarëve policorë, të cilët pritet që gjatë ditës së sotme të dalin përpara gjykatësit të procedurës paraprake. Prokurori i Përgjithshëm Shtetëror, Ljupço Kocevski, nuk e përjashton mundësinë që të arrestohen edhe persona të tjerë deri në përfundim të hetimeve. Ai, në një intervistë për televizionin “Telma”, deklaroi se objekti “Pulse” nuk ishte i panjohur vetëm për policinë, por për të gjithë qytetin, dhe se për 13 vjet nuk ishte kryer asnjë inspektim. “Objekti ‘Pulse’ nuk ishte i panjohur vetëm për policinë, ishte i njohur për të gjithë qytetin. Ishte i njohur edhe për vetëqeverisjen lokale dhe për të gjitha institucionet kompetente që është dashur të veprojnë, që do të thotë se për 13 vjet në Koçan nuk është kryer asnjë kontroll inspektues ndaj këtij objekti” tha Kocevski.

Ai bëri të ditur se janë siguruar licencat që ka pasur diskoteka nga viti 2012 deri në 2017 dhe se të gjitha janë lëshuar pa dokumentacionin e plotë të nevojshëm. Në lidhje me piroteknikën që është përdorur gjatë koncertit kur ndodhi zjarri, Kocevski tha se po hetohet se nga është blerë dhe nëse është përdorur në mënyrë të përshtatshme. Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, premtoi se çdo person për të cilin ka dëshmi do të përballet me drejtësinë. Në një deklaratë të dhënë të hënën, Toshkovski tha se hetimi nuk është i përfunduar dhe se nuk do të tolerohet askush. “Hetimin e udhëheq Prokuroria Publike, MPB ka paraqitur kallëzimet penale për të cilat, në momentin e ndërmarrjes së veprimeve, ka vlerësuar se duhet të dorëzohen. Kallëzim është dorëzuar ndaj çdonjërit për të cilin ka dëshmi”, theksoi Toshkovski. Një pjesë e të dyshuarve që janë të përfshirë në hetim janë në paraburgim, si ish-ministri i ekonomisë kreshnik Bekteshi, disa janë në arrest shtëpiak dhe për disa të tjerë janë caktuar masa të kujdesit. Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit konstatoi një sërë mangësish në Ligjin për veprimtari hotelierike.

QYTETARËT KËRKOJNË PËRGJEGJËSI PËRMES PROTESTAVE

Pas tragjedisë në Koçan, në vend u shpall shtatë ditë zie. U anuluan të gjitha aktivitetet muzikore dhe ngjarjet në institucionet kulturore, dhe u hapën libra zie në Parlament, Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe në ambasadat e Maqedonisë në botë. Në shenjë solidariteti për viktimat, ditë zie u shpall edhe në Serbi, Bullgari, Bosnje e Hercegovinë dhe Mal të Zi. Me protesta paqësore iu dha nder viktimave dhe të plagosurve të zjarrit dhe u kërkua përgjegjësi nga institucionet shtetërore. Një ditë pas zjarrit, në Koçan u mbajt një protestë ku qytetarët kërkuan përgjegjësi për tragjedinë në diskotekën “Pulse”. Atëherë u demolua edhe kafeneja “Klasik”, pronë e të njëjtit pronar si diskoteka. Protesta u mbajtën edhe në Shkup dhe në qytete të tjera të vendit.

Në Koçan, më 5 prill nën moton “Marsh për engjëjt” në ora 12:05 – si simbol i reagimit të vonuar institucional – protestuan edhe familjarët e viktimave, të cilët kërkuan drejtësi për fëmijët e tyre. Sipas tyre, nëse të gjitha institucionet do ta kishin bërë punën e tyre siç duhet, kjo tragjedi nuk do të kishte ndodhur. Tragjedia në Koçan i detyroi institucionet që të ndërmarrin masa intensive për kontrollin e objekteve publike dhe lokaleve hotelierike në vend, për të parë nëse i plotësojnë kushtet teknike minimale për punë dhe standardet e sigurisë. Në Parlament u miratuan edhe ndryshime në Ligjin për kundërvajtje ndaj rendit dhe qetësisë publike, me të cilat ndalohet përdorimi i mjeteve piroteknike në ambiente të mbyllura. Parashikohen edhe gjoba kundërvajtëse për persona fizikë dhe juridikë që veprojnë në kundërshtim me ndalimin.

PARTITË POLITIKE OPOZITARE TË PAKËNAQURA ME HETIMIN

Përderisa institucionet shtetërore po vazhdojnë hetimin, partitë politike opozitare vazhdojnë të reagojnë ashpër për siç thonë, qasjen selektive që i jepet hetimit. BDI vlerëson se ky rast po përdoret për hakmarrje politike, meqë cak i hetimit janë vetëm ish-funksionarët. Ndërsa, kërkojnë dorëheqje të menjëhershme nga ministri i punëve të brendshme Pançe Toshkovski. “Pas një tragjedie në të cilën humbën jetën mbi 60 të rinj – tragjedi që duhej të parandalohej drejtpërdrejt nga Ministria e Punëve të Brendshme – as ministri, as drejtori i Byrosë për Siguri Publike nuk kanë dhënë dorëheqje. Përkundrazi, me arrogancë mbulojnë dështimin e tyre. E njëjta figurë që duhej të parandalonte, sot e udhëheq “hetimin”, akuzon të tjerët dhe përmes presioneve politike mbi prokurorinë përpiqet të bëjë pazare për të shpëtuar veten”, theksojnë nga BDI.

Edhe LSDM alarmon për hetim selektiv të rastit. Social-demokratët vlerësojnë se natën e kobshme, MPB dhe Byroja për Siguri Publike është dashur të reagojnë për të parandaluar tragjedinë e tillë, gjë që se kanë bërë. Duke marrë parasysh këtë fakt, edhe LSDM vlerëson se është e nevojshme tërheqja nga funksioni e ministrit të punëve të brendshme Pançe Toshkovski. “Ndjehet si në opinionin publik, ashtu edhe mes qytetarëve dhe tek ne në LSDM, se po zhvillohet një hetim selektiv për tragjedinë në Koçan, veçanërisht për shkak se nuk janë përfshirë ata persona të cilët atë ditë, në atë natë fatale, kanë qenë në pozitat e tyre në Ministrinë e Punëve të Brendshme”, theksojnë nga LSDM.

Në fatkeqësi humbën jetën 61 persona, përfshirë edhe anëtarë të grupit muzikor “DNK”.

Zjarri në diskotekën në Koçan ndodhi natën midis 15 dhe 16 marsit, gjatë performancës së grupit “DNK”. Jetën e humbën gjithsej 61 persona, prej të cilëve 59 vdiqën në të njëjtën natë. Viktimat ishin të moshës nga 16 deri në 48 vjeç, shumica prej tyre ishin 24 dhe 26 vjeç. Mes viktimave ishin edhe këngëtari i bendit “DNK” Andrej Gjorgjieski, profesoresha e Fakultetit për Art Muzikor Sara Projkovska, bateristi Gjorgji Gjorgjiev, si dhe Filip Stevanovski, Aleksandar Kolarov dhe Aleksandar Efremov. Dy persona vdiqën më pas si pasojë e plagëve të rënda. Njëri prej tyre ishte edhe drejtuesi i diskotekës, Aleksandar Karakadovski, i cili ndërroi jetë në Lituani ku po trajtohej. Edhe ai ishte një nga të dyshuarit, por hetimi ndaj tij është ndërprerë. Gjithsej u lënduan 193 persona, shumica e të cilëve, pas ndihmës së parë në spitalet vendore, u dërguan për mjekim jashtë shtetit. Shpenzimet për trajtim dhe akomodimin e familjarëve të të plagosurve u mbuluan plotësisht nga shteti.

Sipas informatave të fundit të bëra publike nga ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari, në spitalet vendore dhe të huaja ende po trajtohen 57 pacientë, prej të cilëve dy janë në gjendje kritike. Nëntë pacientë po trajtohen në vend, ndërsa 48 jashtë shtetit. Pas tragjedisë në Koçan ndërroi jetë edhe shoferi i autoambulancës, Ile Gocevski, i cili atë natë arriti të transportojë shumë të plagosur deri në Shkup. Ministri i Shëndetësisë njoftoi se ai do të dekorohet pas vdekjes për përkushtimin e tij. (koha.mk)

Lexuar: 290

Lajme te ngjashme

Mickoski: Nuk ka pengesa për përdorimin e gjuhës shqipe në provimin e jurisprudencës

25 vjet nga Marrëveshja e Prizrenit, çka u morën vesh dhe çka u realizua?!

Detaje të reja nga të shtënat me armë në Haraçinë

Publicisti Salihu vrapoi 45 kilometra, nga banesa në Shkup deri te shtëpia në vendlindje

Borxhi “shpërthen” mbi 10 miliardë € – paralajmërohet krizë ekonomike

VLEN: Ne jemi aty ku BDI nuk ishte kurrë, kundër çdo përpjekje që e largon vendin nga rruga euroatlantike

Lajmet e fundit

Mickoski: Nuk ka pengesa për përdorimin e gjuhës shqipe në provimin e jurisprudencës

24 Maj, 2026

Ardian Gjini zgjidhet zyrtarisht kryetari i ri i AAK-së

24 Maj, 2026

Gjesti: Namazi është e vetmja qetësi që po më mban në jetë

24 Maj, 2026

Vuçiq: Jap dorëheqje…!

24 Maj, 2026

25 vjet nga Marrëveshja e Prizrenit, çka u morën vesh dhe çka u realizua?!

24 Maj, 2026

Detaje të reja nga të shtënat me armë në Haraçinë

24 Maj, 2026

Publicisti Salihu vrapoi 45 kilometra, nga banesa në Shkup deri te shtëpia në vendlindje

24 Maj, 2026
© 2026 Tv News.
  • Impressum
  • Kontakt

Type above and press Enter to search. Press Esc to cancel.