Në opinion dominojnë narrativa të dëmshme që minojnë besimin në institucione dhe media, nxiten përçarje dhe mbjellet populizëm, patriotizëm ekstrem dhe nacionalizëm. Manipulohet me opinionibn publik duke bërë skualifikime personale, pretendime të pabazuara për abuzime dhe korrupsion, dezinformim, teori konspirative, njëanshmëri, selektivitet, përhapje paniku, frikë dhe pasiguri. Politikanët dhe mediat janë të vetëdijshëm për këtë situatë dhe tregojnë vetëkritikë. Ata besojnë se nyja gordiane mund të pritet, por vetëm nëse, siç thonë ata, të gjithë së pari fillojnë nga vetvetja, nga integriteti i tyre personal, edukata shtëpiake dhe vetëdija për postin që e ushtrojnë, si dhe nëse bashkëpunojnë me njëri-tjetrin. Politikanët janë skeptikë se sa do të përmirësohet situata, madje disa prej tyre janë të bindur se do të përkeqësohet, veçanërisht tani, para zgjedhjeve lokale.
Ky ishte një nga konkluzionet e panelit të sotëm të organizuar nga Instituti për Studime të Komunikimit (ISK) me rastin e publikimit “Nyja gordiane e narrativave të fëmshme në politikë dhe media”.
Në debat u ngritën shumë pyetje, duke përfshirë atë se sa mediat sot janë vetëm transmetues politikë dhe megafonë të partive, sa profesionistë janë nëse dërgojnë gazetarë në terren më shpesh pa njohuri serioze për një sektor të caktuar, nëse dhe sa abuzojnë me detyrën e tyre, por edhe pse, nëse dhe sa është ulur besimi i qytetarëve ndaj tyre. Disa nga pyetjet ishin mos vallë politikanët janë kreatorët kryesorë të narrativave të dëmshme për shkak të dëshirës për të fituar sa më shumë pikë në opinion dhe për të rritur renditjen e tyre më shpesh duke sulmuar kundërshtarët e tyre pa zgjedhur mjete dhe pa marrë parasysh mënyrën e prononcimit publik.
“Ne transmetojmë informacionin për të ditur se si janë politikanët tanë, jo për të edukuar votuesit e tyre, por për t’u treguar atyre se me kë kanë të bëjnë, për të parë nivelin e komunikimit të politikanëve. Le të shohim punën e mediave nga kjo anë. Kur keni një njoftim nga BDI-ja që mbron krimin e Grubit në baza etnike, është përhapja e gjuhës së urrejtjes. Dhe tani, çfarë duhet të bëj unë si redaktor? Ta stilizoj, të grimoj realitetin? Jo, duhet të dimë se me kë kemi të bëjmë, kush është në atë anë të tryezës. Kështu, publiku do të jetë në gjendje të bëjë një përzgjedhje në zgjedhjet lokale për të cilët do të votojë, tha Aleksandar Damovski, kryeredaktor i medias online MKD.mk.
Më parë, vuri në dukje Damovski, nuk kishte gjuhë urrejtjeje, tekstet e gazetarëve kaluan nëpër disa filtra dhe përgjegjësia ishte në rrethin e redaksisë, dhe tani “filtri është në dhomën e gjumit të një njeriu që transmeton vetëm nga rrjetet sociale se kush çfarë ka thënë dhe e pompon atë.” Kjo, nënvizoi ai, assesi nuk është gazetari.
Nënkryetarja e Kuvendit, Vesna Bendevska, theksoi se narrativat e dëmshme nuk janë karakteristike vetëm në periudhën nëntë mujore të analizuar, por janë tipar i komunikimit politik për vitet me radhë. Ajo theksoi se ishte më e shqetësuar për ad hominem – sulmet që diskreditojnë plotësisht politikanin e kampit të kundërt./koha.mk

