“Kanë kaluar gati dy javë nga tragjedia në Koçan, ndërsa Kuvendi ende i shtyn seancat e tij, përfshirë edhe seancën për pyetjet parlamentare. Është e papranueshme dhe e papërgjegjshme që deputetët të mos mbajnë seanca në një kohë të tillë tragjedie, kur qytetarët presin përgjigje, kur duhet të analizohet sistemi dhe të diskutohen hapat e ardhshëm që Kuvendi mund të ndërmarrë brenda kompetencave të tij,” thuhet në deklaratën e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut.
“Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut rikujton se funksioni legjislativ i Kuvendit është vetëm një nga funksionet themelore kushtetuese që ai ka. Kuvendi ka gjithashtu një funksion përfaqësues dhe mbikëqyrës, ndërsa pyetjet parlamentare janë një nga format kryesore të mbikëqyrjes së punës së Qeverisë dhe zyrtarëve të tjerë publikë.
Kuvendi ka mekanizma për të vepruar, siç është krijimi i trupave të përhershëm dhe të përkohshëm për çdo çështje me interes publik. Në këtë rast konkret, sipas nenit 76 të Kushtetutës, Kuvendi mund të krijojë një komision hetimor për të gjitha fushat dhe për çdo çështje me interes publik, dhe gjetjet e tij mund të shërbejnë si bazë për përcaktimin e përgjegjësisë së mbajtësve të funksioneve publike.
Prandaj, është e pakuptueshme që Kuvendi, megjithëse ka këto mekanizma në dispozicion, ka vendosur të mos mbajë seanca. Është e logjikshme të shtrohet pyetja se cili është qëllimi i ekzistencës së organit më të lartë përfaqësues të qytetarëve, kur përfaqësuesit e zgjedhur nga populli vendosin të heshtin në momente kur janë më të nevojshëm.
Nëse asgjë tjetër, caktimi i një seance për pyetje parlamentare mund të kishte hapur hapësirë për një debat më të thelluar dhe në një mënyrë ose tjetër do të artikulonte drejtimet në të cilat duhet të ecin gjërat në të ardhmen. Gjithashtu, seanca do t’u jepte mundësinë deputetëve dhe Kuvendit të shprehnin publikisht ngushëllimet e tyre për familjet e viktimave dhe keqardhjen për tragjedinë e rëndë.
Qytetarët presin që pas tragjedisë që ndodhi në Koçan, i gjithë sistemi, përfshirë edhe përfaqësuesit e tyre të zgjedhur, të kontribuojë në luftën kundër korrupsionit dhe në korrigjimin e padrejtësive dhe ndasive të mëdha shoqërore, duke qenë njëkohësisht efikas dhe i pakompromis.
Presim që Kuvendi të konsolidohet dhe të përdorë të gjithë mekanizmat që ka në dispozicion dhe që deputetët të bashkohen në përpjekjet për të rritur funksionalitetin e sistemit dhe për të luftuar devijimet shoqërore.
Qytetarët kërkojnë nga përfaqësuesit e tyre të zgjedhur, si dhe nga mbajtësit e tjerë të funksioneve publike, që sistemi të funksionojë pa privilegje për askënd dhe ligjet të zbatohen në mënyrë të barabartë për të gjithë,” thuhet në deklaratën e Komitetit të Helsinkit./ Televizioni News

