Qytetarët frikësohen për rritjen e çmimeve pas skadimit të masës së ngrirjes së një pjesë të çmimeve të ushqimeve. tregtarët po qetësojnë opinionin se nuk do të ketë tronditje të madhe të shtrenjtimeve. Institucionet paralajmërojnë përforcim të kontrolleve
Shkup, 1 mars – Qytetarët frikësohen për rritjen e çmimeve pas skadimit të masës së ngrirjes së një pjesë të çmimeve të ushqimeve. Masa ishte aktive disa herë në vitet e kaluara, ndërsa së fundmi vazhdoi nga shtatori 2023 deri në fund shkurtit 2024 për bukën, qumështin , vezët, jogurtin , mishin e grirë , mishin e pulës, makaronat, pemë perime etj. Në fakt problemi më i madh është mosmiratimi i Ligjit për praktika të ndershme tregtare që akoma nuk është miratuar, e që sipas kompetentëve do të ndikojë në uljen e çmimeve të prodhimeve ushqimore në vend. Gjithashtu skadon edhe afati i vendimit të qeverisë për uljen e detyrimeve të importit për pemë perimet. Institucionet paralajmërojnë përforcim të kontrolleve për të ndërhyrë në rast të rritjes drastike të çmimit të produkteve, duke qenë se Ligji për praktikat e pandershme tregtare, që pritet të amortizojë situatën, ende nuk është miratuar.
SHTRENJTIME DERI 10 PËR QIND
Nga ekzekutivi presin shtrenjtime me 5 deri 10 për qind, ndërsa qytetarët druajnë se nga e premtja do të kenë çmime shumë më të larta në dyqane dhe tregjet e gjelbra. Një pjesë e përfaqësuesve të tregtarëve në vend po qetësojnë opinionin se nuk do të ketë tronditje të madhe të shtrenjtimeve pas një marsit.
Nënkryetari i Lidhjes së Odave Ekonomike, Goran Gjeorgjievski thotë se qëndrimi i tyre është se nuk do të ketë korrigjim serioz të çmimeve,apo me fjalë tjera se shumica e produkteve do të qëndrojnë me ato çmime dhe do të ketë një korrigjim të vogël të një duke pasur parasysh numrin e produkteve ku realisht janë sjellë në gjendje jo profitabile për vetë funksionimin e kompanive.
Ekonomistët nuk presin që heqja e masës së kontrollit të çmimeve të çojë në një rritje të madhe të inflacionit. Kjo, thonë ata, mund të ndodhë për disa prej produkteve, por ndikimi në inflacion pritet të jetë i kufizuar. Siç theksojnë ata, inflacioni është rezultat i veprimit total të çmimeve dhe jo vetëm të disa produkteve, ndaj nuk duhet të ndodhë përsëritja e normave nga vitit 2022 kur inflacioni u rrit në 19.8 për qind. Me këtë pajtohet edhe afaristi, Angel Dimitrov, nga Organizata e Punëdhënësve, i cili thotë se nuk duhet të presim një kërcim të madh inflacioni, ndonëse nuk përjashton rritje të çmimeve për disa nga produktet që ishin të ngrira.
EFEKTI I LIGJIT PËR PRAKTIKA TË PANDERSHME
Por ai nuk ndan optimizmin e qeverisë se ligji i ri për praktikat e padrejta tregtare do të jetë një “shkop magjik”. Ai thotë se edhe gjatë diskutimeve për këtë zgjidhje ligjore ka reaguar dhe ka theksuar se ligji do të kishte ndikim më të madh nëse zbatimi i tij, pra kontrolli do t’i ngarkohej Inspektoratit Shtetëror të Tregut. Kështu siç është propozuar, vetë prodhuesit do të duhet të raportojnë tregtarët, gjë që është e palogjikshme, duke qenë se ata varen prej tyre. Domethënë, ata e vënë veten në rrezik, nëse raportojnë, se produktet e tyre nuk do të porositen në të ardhmen, thotë Dimitrov, duke shtuar se me këtë ligj, mund të përsëritet historia e Ligjit për Disiplinë Financiare, i cili nuk dha efektet e pritura.
Profesori universitar Borçe Trenovski thotë se nuk ka kushte reale për rritje të çmimeve të produkteve, duke pasur parasysh se ato janë të stabilizuara si në nivel global ashtu edhe në vend, ndërsa presioni për rritje të pagave nuk është shumë i theksuar. Pritjet inflacioniste janë zbutur dhe inflacioni bazë është ulur gjithashtu. Megjithatë, thekson se situata të caktuara jashtë tregut mund të ndikojnë në sjelljen e biznesit, siç janë deklaratat nxitëse se pas përfundimit të masave do të ketë rritje të çmimeve të produkteve, pastaj periudha parazgjedhore etj.
Dy javë më parë, drejtoresha e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Kristalina Georgijeva paralajmëroi se ekonomia botërore është e kërcënuar nga lufta mes Izraelit dhe Hamasit në Rripin e Gazës dhe sulmet e rebelëve Houthi në anijet afër Jemenit, të cilat dëmtojnë trafikun përmes kanalit të Suezit. Lufta në Rripin e Gazës ka dëmtuar ekonominë e Lindjes së Mesme dhe Afrikës së Veriut, tha Georgieva në Samitin e Qeverisë Botërore 2024 në Dubai, Emiratet e Bashkuara Arabe. “Unë kam më shumë frikë nga kohëzgjatja e konfliktit, sepse nëse ai vazhdon, ekziston rreziku i përhapjes më të madhe”, tha ajo në takimin vjetor që bashkon botën e biznesit dhe atë politike në Emiratet deri të mërkurën.
Konferenca e OKB-së për Tregtinë dhe Zhvillimin (UNÇTAD) paralajmëroi në fund të janarit se vëllimi i trafikut të mallrave përmes Kanalit Suedez është ulur me më shumë se 40 për qind në dy muajt e mëparshëm. Nëse armiqësitë përhapen, “mund të jetë më problematike për të gjithë botën”, tha Georgijeva.
Edhe ekonomistët në vend thonë se nuk duhen lënë mënjanë disa zhvillime në nivel global, para së gjithash situata në Detin e Kuq, të cilën e konsiderojnë një rrezik më të madh që mund të ndikojë në nivel global, dhe më pas ta transferojë atë në vendin tonë. “Këtu në radhë të parë i referohemi çmimit të naftës, çmimi i të çilit është edhe më i qëndrueshëm se ç’mund të pritej, por nuk përjashtohen surprizat, gjë që kërkon vigjilencë nga ana e institucioneve vendase”, thotë profesori Trenovski.
Ndryshe, nga 20 shtatori apo më shumë se pesë muaj ishte në fuqi masa për çmimet e garantuara që i referohej prodhimeve të ndryshme si : orizit të bardhë, në paketim nga 900 g deri në 1 kg; miell gruri tip 400 dhe tip 500; Bukë e bardhë dhe gjysmë e bardhë, bukë, e tipit industrial 450 g (e plotë dhe e prerë), me përjashtim të bukës së sapopjekur në markete; produkte të tjera buke; më shumë lloje, mish viçi pa kocka, pulë e freskët ose e ngrirë (e tërë), sallame të ndryshme, qumështi me përmbajtje yndyre 2.8, 3.2 dhe 3.5 për qind, kos , djathë i bardhë tradicional i lopës dhe djathë i bardhë i përzier etj. (koha.mk)

