Kryetari i Shoqatës atdhetare “Dibra”, Hakim Buxhaku, për gazetën KOHA informoi se në turneun e sivjetmë morën pjesë klube basketbolli nga shoqata të ndryshme shqiptare që veprojnë në Amerikë
Vjollca SADIKU
Dibër, 23 shkurt – Shoqata atdhetare “Dibra” me seli në Nju Jork është një nga shtyllat kryesore të aktiviteteve të diasporës dibrane në Amerikë. Me veprimtarinë e saj ajo jep kontribut të rëndësishëm edhe në forcimin e bashkëpunimit me të gjithë komunitetin shqiptar që jeton në SHBA. Në kuadër të ruajtjes së trashëgimisë kombëtare, realizon projekte të shumta në fushën e kulturës dhe sportit. Këto ditë u organizua Turneu vjetor i Basketbollit 2026, me pjesëmarrjen e shumë klubeve shqiptare nga shtete të ndryshme të Amerikës. Pjesëmarrja ishte masive, si nga ekipet garuese ashtu edhe nga publiku.
Kryetari i Shoqatës atdhetare “Dibra”, Hakim Buxhaku, për gazetën KOHA informoi se në turneun e sivjetmë morën pjesë klube basketbolli nga shoqata të ndryshme shqiptare që veprojnë në Amerikë.
“Një tjetër turne i paharrueshëm u përmbyll me sukses dhe edhe një herë u dëshmua se kur komuniteti ynë bashkohet, ndodhin gjëra të fuqishme. Për herë të parë, grupi ynë i valleve i Shoqatës performoi në këtë turne, duke sjellë traditën shqiptare, kulturën dhe një energji të jashtëzakonshme në fushë. Ishte një moment krenarie dhe i paharrueshëm për gjithë komunitetin tonë. Një falënderim i veçantë për instruktoren tonë, Bina Behluli, për përkushtimin dhe punën e palodhur në përgatitjen e fëmijëve për këtë performancë të veçantë”, tha kryetari Buxhaku.
Kampion i turneut këtë vit ishte ekipi i basketbollit TEAM 6. Vendin e dytë e zuri ekipi AMEXS, ndërsa vendin e tretë ekipi B24 & Ulqin.
Organizatorët theksojnë se evente të tilla realizohen falë komunitetit, falë lojtarëve që garojnë me krenari, falë tifozëve që mbushin sallën dhe sjellin energji, si dhe falë familjeve, vullnetarëve dhe mbështetësve që kontribuojnë vit pas viti.
Shoqata dibrane në Amerikë realizon shumë programe përmes të cilave i afron të rinjtë dibranë me komunitetin më të gjerë shqiptar në SHBA. Me sukses funksionojnë disa klube sportive, grupi i valleve dhe këngëve folklorike, si dhe grupe që kultivojnë folklorin, traditat dhe historinë kombëtare shqiptare. Gjatë sezonit veror, nga Amerika në vendlindje kthehen mijëra dibranë që jetojnë në diasporë. Në bashkëpunim me Komunën e Dibrës pritet të organizohen aktivitete të shumta pikërisht në Dibër, duke pasur parasysh numrin e madh të bashkëqytetarëve që jetojnë dhe punojnë në SHBA dhe që kthehen gjatë verës. (koha.mk)

