Aleanca për Shqiptarët ka reaguar ndaj deklaratave të kryeministrit Hristijan Mickoski në Kuvend, duke kundërshtuar pretendimet e tij se Kushtetuta nuk e parasheh arsimin e lartë në gjuhën shqipe.
ASH rikujton se deputeti Halil Snopçe e sfidoi Mickoskin të tregojë se cili nen kushtetues e ndalon arsimin universitar në shqip, por, sipas partisë, përgjigje konkrete nuk mori.
Nga ASH theksojnë se mungesa e një përcaktimi të shprehur në Kushtetutë për arsimin e lartë në gjuhën amtare nuk nënkupton ndalim, ndërsa i referohen edhe pikës 6.2 të Marrëveshjes së Ohrit, që parasheh financimin shtetëror të arsimit universitar në gjuhët që fliten nga së paku 20 për qind e popullsisë.
Partia vlerëson se universitetet në gjuhën shqipe janë rezultat i përpjekjeve dhe sakrificave shumëvjeçare, e jo dhuratë e politikës, duke ngritur njëkohësisht shqetësimin për pamundësinë e dhënies së provimit të jurisprudencës tërësisht në shqip.
ASH kërkon sqarim publik nga kryeministri, zbatim të plotë të Ligjit për përdorimin e gjuhëve dhe mundësimin e provimeve profesionale në gjuhën shqipe.
“Arsimi në gjuhën shqipe është një e drejtë që nuk negociohet”, thekson Aleanca për Shqiptarët.
Fejzi

