Komisionerja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, ka deklaruar se Shqipëria mund të anëtarësohet në Bashkimin Evropian deri në vitin 2030, nëse përmbush me kohë kushtet e procesit të integrimit.
Në një intervistë për „Euronews Albania“, Kos bëri të ditur se synimi është që negociatat e anëtarësimit të përfundojnë deri në fund të vitit 2027, ndërsa marrëveshja e anëtarësimit të nënshkruhet në vitin 2028.
Ajo theksoi se viti 2027 mund të jetë vendimtar për Shqipërinë, por paralajmëroi se vendi duhet të përshpejtojë reformat dhe të sigurojë zbatimin konkret të ligjeve.
Ku ndodhet Shqipëria në procesin e integrimit?
* Ka hapur të gjithë grupkapitujt negociues.
* Ka mbyllur përkohësisht 4 nga gjithsej 33 kapituj.
* Në korrik mbylli kapitujt për shkencën, arsimin, kulturën dhe marrëdhëniet me jashtë.
* Në tetor mbylli edhe kapitullin për ndërmarrjet dhe politikën industriale.
Megjithatë, Marta Kos nënvizoi se për anëtarësimin nevojitet edhe mbështetja e të gjitha vendeve anëtare të BE-së, si dhe ratifikimi i marrëveshjes së anëtarësimit.
Shqipëria ka statusin e vendit kandidat që nga viti 2014, ndërsa negociatat zyrtare për anëtarësim i nisi në korrik të vitit 2022.

