Për herë të parë, provimi për Revizor të Autorizuar Shtetëror (RASh) para Komisionit të Entit Shtetëror të Revizionit u mbajt edhe në gjuhën shqipe. Sipas portalit lideri.mk, në rrjetet sociale ka pasur komente duke vlerësuar se kjo është një arritje dhe një hap para për zbatimin e gjuhës shqipe në institucionet shtetërore, shkruan portali lideri.mk.
“Është ndjenjë e veçantë kur gjuhën tënde mund ta përdorësh jo vetëm në jetën e përditshme, por edhe në rrugëtimin tënd profesional. Kur nuk ke nevojë të përkthesh mendimet e tua në një gjuhë tjetër për të dëshmuar dijen dhe aftësitë që ke”, shkruan Hamide Islami.
Sipas saj, kjo është një e drejtë që duhej të ishte e natyrshme prej kohësh dhe që sot po bëhet realitet.
“Shqipja po bëhet pjesë e çdo sfere, edhe aty ku deri dje dukej e pamundur!”, shkruan ajo.
Edhe qytetari Alajdin Memedi njofton se më 19 nëntor 2026 e dha me sukses provimin për RASh para Komisionit të Entit Shtetëror të Revizionit, sipas programit të miratuar nga Revizori Kryesor Shtetëror. Sipas tij, ky moment është i rëndësishëm edhe sepse provimet profesionale tashmë mund të jepen edhe në gjuhën shqipe.
“Një e drejtë më shumë, një mundësi e barabartë për të gjithë!”, shkruan Memedi.
Provimi në shqip u jep kandidatëve shqiptarë mundësinë që njohuritë e tyre profesionale t’i dëshmojnë në gjuhën amtare, në kushte të barabarta me kandidatët e tjerë./Lideri.mk

