Sekuestrohen 5.000 steka cigare me vlerë 9 milionë denarë, shmangia e detyrimeve doganore arrin në 13,7 milionë denarë.
Një tentativë e madhe për kontrabandimin e cigareve është parandaluar në pikën kufitare të Bogorodicës, ku zyrtarët doganorë kanë zbuluar dhe sekuestruar një milion copë cigare pa pulla akcize, me vlerë rreth 9 milionë denarë, raporton TV News.
Cigaret ishin fshehur në një kamion transporti, i cili në hyrje të vendit ishte deklaruar për transit me ngarkesë granulatesh propileni. Pas dyshimeve të ngritura nga zyrtarët doganorë, kamioni iu nënshtrua një kontrolli të detajuar, ku u zbuluan 100 kuti kartoni me gjithsej 5.000 steka cigare të padeklaruara.
Me këtë ndërhyrje është parandaluar shmangia e detyrimeve të importit në vlerë prej 13,7 milionë denarësh.
Drejtuesi i kamionit, shtetas i Serbisë, është ndaluar, ndërsa Departamenti i Hetimeve ka ngritur ndaj tij kallëzim penal në Prokurorinë Themelore Publike në Gjevgjeli për veprën penale të kontrabandës.
Sipas autoriteteve doganore, ky është rasti i dytë gjatë këtij viti në Bogorodicë, ku parandalohet kontrabandimi i një sasie kaq të madhe cigaresh pa pulla akcize.

