Gazetarja dhe redaktorja e Televizionit News, Llausha Zenuni, është vlerësuar me çmimin e dytë në konkursin gazetaresk të organizuar nga Misioni i OSBE-së në Shkup, në kuadër të fushatës ndërkombëtare “16 Ditë Aktivizëm kundër Dhunës me Bazë Gjinore”.
Zenuni u vlerësua për artikullin hulumtues “Unë heshta, Monika denoncoi – Dy histori të dhunës digjitale”, në të cilin, krahas dëshmive të grave të tjera, ka ndarë edhe përvojën e saj personale me dhunën digjitale dhe vendimin për të mos e denoncuar rastin.
Përmes këtij rrëfimi personal dhe hulumtimit gazetaresk, ajo ka trajtuar arsyet që i shtyjnë gratë të heshtin përballë dhunës, frikën nga paragjykimet dhe mungesën e besimit në institucionet përgjegjëse.
Cmimi iu nda sot, më 25 nëntor, gjatë aktivitetit të organizuar nga Misioni i OSBE-së në Shkup.
Ky vlerësim përfaqëson një arritje të rëndësishme profesionale për Zenunin dhe një moment krenarie për redaksinë e Televizionit News.
Urime koleges sonë për këtë sukses dhe përkushtimin ndaj gazetarisë që u jep zë historive që meritojnë të dëgjohen!

