Anëtari i VLEN-it, Albi Qamili, i është përgjigjur ish-ministrit të Drejtësisë, Krenar Lloga, lidhur me debatin për dhënien e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Qamili ka kritikuar ish-ministrin Lloga, duke pretenduar se gjatë mandatit të tij nuk u arrit që provimi i jurisprudencës të zhvillohej në gjuhën shqipe.
“Provimi i Jurisprudencës nuk është dhënë asnjëherë në gjuhën shqipe. VLEN po e bën për herë të parë me veprime politike, atë që BDI-ja nuk arriti ta bënte as me kapitalin e luftës së sinqertë”, ka potencuar Qamili.
Sipas tij, VLEN po ndërmerr veprime politike për të realizuar atë që, siç shprehet ai, BDI nuk arriti ta bëjë as me kapitalin politik të luftës.
Në reagimin e tij, Qamili ka përdorur edhe tone ironike ndaj ish-ministrit, duke deklaruar se e vetmja gjë që Krenar Lloga e arriti “100%” ishte amnistia ndaj ish-kryeministrit Nikolla Gruevski dhe ish-drejtorit të DSK-së, Sasho Mijallkov.
“Të vetmen gjë që e arriti Krenar Lloga “100%” është amnistia ndaj Gruevskit dhe Mijallkovit”, ka veçuar ai.
Kujtojmë se me ndryshimet e Kodit Penal të propozuara nga Krenar Lloga në kohën kur ishte Ministër i Drejtësisë, u ulën denimet e zyrtarëve për keqpërdorime, përfshirë Gruevskin dhe Mijallkovin.

