Kurc: Brenda 10 vitesh bota do të jetë krejtësisht ndryshe
Ish-kancelari austriak, Sebastian Kurc, vlerëson se bota brenda dhjetë viteve do të ndryshojë rrënjësisht, duke përmendur zhvillimet politike dhe shoqërore në Francë dhe Gjermani.
Gjatë një diskutimi në panelin „C3 Business Talk“, Kurc kritikoi politikat e migracionit në Francë, duke i lidhur protestat e javëve të fundit me problemet sociale dhe mungesën e perspektivës për të rinjtë.
Ai shprehu shqetësim edhe për situatën politike në Gjermani, ku, sipas tij, grupet politike në skajet e spektrit po forcohen, ndërsa partitë e qendrës mbeten të dobëta.
Kurc parashikoi gjithashtu se Marco Rubio do të jetë kandidati republikan për president në zgjedhjet amerikane të vitit 2028, me JD Vance si kandidat për zëvendëspresident.
I pyetur për mundësinë e rikthimit në politikën austriake, ish-kancelari tha se nuk ka dëshirë të rikthehet.
Kurc ishte kancelar i Austrisë në periudhat 2017–2019 dhe 2020–2021. / MIA

