Ushtria ruse ka pësuar humbjet më të mëdha ditore që nga fillimi i pushtimit të plotë të Ukrainës, në shkurt të vitit 2022. Vetëm më 1 nëntor, forcat ruse kanë humbur 2.500 ushtarë, sipas të dhënave të publikuara nga Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës.
Në këto shifra përfshihen ushtarët e vrarë dhe ata të plagosur rëndë, të cilët nuk janë më në gjendje të vazhdojnë luftimet.
Sipas përllogaritjeve të ushtrisë ukrainase, Rusia ka humbur mesatarisht një ushtar çdo 35 sekonda, përkatësisht më shumë se 100 ushtarë të nxjerrë jashtë luftimit në çdo orë, raporton agjencia UNN.
Thyhet rekordi i mëparshëm i humbjeve
Rekordi i mëparshëm ditor ishte regjistruar më 21 tetor 2026, kur forcat ruse kishin humbur 2.250 ushtarë të vrarë dhe të plagosur.
Para kësaj, shifra më e lartë ishte regjistruar më 19 dhjetor 2024, me 2.200 ushtarë të nxjerrë jashtë luftimit brenda një dite.
Tetori, muaji më i përgjakshëm për ushtrinë ruse
Sipas Shtabit të Përgjithshëm ukrainas, tetori i vitit 2026 ka shënuar gjithashtu një rekord të ri të humbjeve mujore për ushtrinë ruse.
Brenda vetëm një muaji, Rusia ka humbur 54.400 ushtarë të vrarë dhe të plagosur, shifra më e lartë mujore që nga fillimi i luftës.
Për ta ilustruar përmasën e këtyre humbjeve, ky numër është pothuajse i barabartë me të gjithë popullsinë e qytetit rus Vorkuta, i cili ka rreth 55.000 banorë.
Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës thekson se forcat ukrainase vazhdojnë t’u shkaktojnë humbje trupave ruse në front.

