Sporti si urë bashkimi, bashkëpunimi dhe parandalimi i dhunës mes të rinjve. Me këtë mesazh, Njësia për Parandalim pranë SPB-së në Kumanovë organizoi një turnir në futboll të vogël, ku morën pjesë shkollat fillore të Komunës së Likovës.
Aktiviteti u mbështet nga kryetari i Komunës së Likovës, Erkan Arifi, i cili përshëndeti pjesëmarrësit, hapi turneun dhe u uroi të gjithëve lojë të ndershme dhe sukses.
Mikpritëse e këtij aktiviteti ishte Shkolla Fillore “Dituria” në fshatin Likovë, nën drejtimin e drejtorit Gazmend Ganiu. Në fushë u përballën ekipet e shkollave fillore të komunës, të shoqëruara nga profesorët e edukatës fizike.
Pas ndeshjeve plot emocione dhe garë sportive, vendin e parë e fitoi Shkolla Fillore “Faik Konica” nga Sllupçani. Në vendin e dytë u rendit shkolla “Dituria” nga Likova, ndërsa vendi i tretë i takoi shkollës “Kultura” nga Mateçi.
Shefja e Njësisë për Parandalim pranë SPB-së në Kumanovë, M-r Lile Mladenovska, falënderoi kryetarin Erkan Arifi për mbështetjen e vazhdueshme, si dhe drejtorin Gazmend Ganiu dhe profesorët e edukatës fizike për kontributin në organizimin e këtij aktiviteti.
Ajo bëri të ditur se bashkëpunimi ndërmjet policisë dhe komunës do të vazhdojë edhe me projekte të reja, të cilat pritet të realizohen gjatë muajit të ardhshëm.
Përmes këtij turneu, organizatorët synojnë të përcjellin një mesazh të qartë: sporti bashkon të rinjtë, promovon respektin dhe miqësinë, ndërsa loja e ndershme është një hap i rëndësishëm drejt parandalimit të dhunës.
Aktivitete të tilla dëshmojnë se bashkëpunimi ndërmjet institucioneve dhe shkollave mund të krijojë mundësi të reja për socializimin, edukimin dhe zhvillimin e shëndetshëm të gjeneratave të reja./Televizioni News


