Raporton: Televizioni News
Likovë – Kryetari i Komunës së Likovës, Erkan Arifi, priti në takim dy mysafire nga Franca, Sophie De Saint Germain, dokumentariste, dhe Séverine Chaillou, profesoreshë e edukimit fizik dhe shëndetësor në kolegjin “Félix Buhot” në Valognes të Normandisë, të cilat po qëndrojnë në vendin tonë në kuadër të programit evropian Erasmus+.
Mysafiret franceze shoqëroheshin nga drejtori i SHFK-së “7 Marsi” në Opajë, Besnik Ibrahimi, profesoresha e gjuhës frënge Gzime Ramadani dhe pedagogu Agim Murtezi.
Gjatë takimit u diskutua për rëndësinë e shkëmbimeve arsimore, kulturore dhe gjuhësore, si dhe për mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit ndërmjet institucioneve arsimore të Komunës së Likovës dhe atyre franceze.
Një veçanti e këtij bashkëpunimi është se SHFK “7 Marsi” në Opajë, për të tretën herë radhazi, mirëpret mysafirë nga Franca përmes projekteve të shkëmbimit ndërkombëtar, duke krijuar një traditë të rëndësishme të miqësisë dhe bashkëpunimit mes dy vendeve.
Kjo vizitë synon forcimin e lidhjeve arsimore e kulturore dhe promovimin e vlerave të përbashkëta evropiane, duke dëshmuar se arsimi, kultura dhe miqësia ndërtojnë ura që i tejkalojnë kufijtë.

