Zyrtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Alban Krasniqi, i ka reaguar Daut Haradinajt pasi ky i fundit deklaroi se protestuesit para Kuvendit kishin bomba dhe se, pa votimin e ndryshimeve në Ligjin për Specialen, mund të kishte gjakderdhje.
Krasniqi, bashkëshorti i kryetares së Kuvendit, Albulena Haxhiu, e ka ndërlidhur deklaratën e Haradinajt me Ligjin për Byronë e Konfiskimit të Pasurisë së Pajustifikueshme.
“Dauti e ka me ligjin për byronë e konfiskimit të pasurisë së fituar me haraq dhe krim ordiner. E krimi nuk vjetërohet e as nuk mbulohet nën kauzën e UÇK. Tipat si ky janë modeli i mercenarizmit të pasluftës”, ka shkruar Krasniqi.
“Njerëz të paprekshëm që kanë krijuar norma paralele dhe jetojnë në realitet paralel i cili nuk njeh shtet, ligje, institucione, demokraci dhe i mbivendosen atyre me shantazh, dhunë përmes strukturave të tyre kriminale paralele”, ka shtuar ai.
Krasniqi ka përmendur Daut Haradinajn dhe Sami Lushtakun, duke drejtuar akuza për vepra kriminale dhe korruptive.
“Pra, dijeni. Kur Dauti, Samiu etj kanë me puthë tokën e Kosovës nga arrestimi për veprat e tyre kriminale dhe korruptive, të kësaj Kosove që mendojnë që vetëm këta e kanë çliru e ne jemi robër të tyre, atëherë këtij vendi ka me i ardh era SHTET që frymon sipas idealeve të dëshmorëve. E unë për një Kosovë të tillë jetoj, veproj, flijohem”, ka shkruar Krasniqi.

