Tre persona nga Shkupi janë arrestuar në kuadër të aksionit policor “Pastruesi”, nën dyshimin se kanë shantazhuar dhe kërcënuar me jetë një banor të Dellçevës, duke i kërkuar 10 mijë euro në këmbim të mos publikimit të materialeve komprometuese.
Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB), të arrestuarit janë Z.B. (61), M.B. (35) dhe B. (43), të gjithë nga Shkupi.
Aksioni është realizuar nga Departamenti i Policisë Kriminalistike, në bashkëpunim me policinë e Shtipit, Dellçevës dhe Shkupit. Gjatë operacionit janë kryer bastisje në dy lokacione.
Sipas denoncimit, të dyshuarit e kishin kërcënuar viktimën me jetë dhe dhunë fizike, duke i kërkuar 10 mijë euro. Në rast se ai nuk do ta paguante shumën, ata dyshohet se e kishin kërcënuar me publikimin e materialeve komprometuese.
Gjatë bastisjeve, policia ka gjetur edhe një pistoletë ilegale të tipit “M57”, të kalibrit 7,62 milimetra. Verifikimet kanë treguar se arma ishte vjedhur gjatë një vjedhjeje të rëndë në territorin e Shkupit.
Rasti po hetohet nga Prokuroria Themelore Publike në Dellçevë për veprat penale “shantazh” dhe “rrezikim i sigurisë”, sipas neneve 259 dhe 144, paragrafi 2, të Kodit Penal.
Nga MPB-ja bëjnë të ditur se pas dokumentimit të plotë të rastit do të paraqiten kallëzimet përkatëse penale.

