Pas akuzave për dhunë fizike ndaj dy personave në Shkup, Ministria e Punëve të Brendshme ka nisur hetim të brendshëm. Por pyetja që shtrohet është: A do të ketë përgjegjësi konkrete apo vetëm një tjetër procedurë administrative?
MPB-ja ka njoftuar se, pas raportimeve në media për incidentin e 7 tetorit, ministri i Punëve të Brendshme ka urdhëruar Departamentin e Kontrollit të Brendshëm, Hetimeve Kriminalistike dhe Standardeve Profesionale të hetojë pretendimet për dhunë nga nëpunësit policorë.
Dy personat pretendojnë se janë sulmuar fizikisht nga policët dhe se gjatë incidentit u është dëmtuar edhe automjeti.
Nga Ministria thonë se po ndërmerren veprime për zbardhjen e plotë të rastit dhe përcaktimin e përgjegjësisë së mundshme të zyrtarëve policorë.
MPB-ja premton se, pas verifikimit të fakteve, do të ndërmerren masat e parapara me ligj dhe opinioni do të informohet për rezultatet.
Tashmë mbetet të shihet nëse hetimi i brendshëm do të sjellë transparencë dhe përgjegjësi, apo do të përfundojë pa përgjigje konkrete për pretendimet e dy të rinjve.

