Kryeministri i RMV-së, Hristijan Mickoski në një konferencë të përbashkët për shtyp në Shkup me Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, duke u përgjigjur në pyetjen e një gazetari se si e pranoi propozimin e tij që BE-ja të përfshihet në bisedimet e Maqedonisë me Bullgarinë, tha se ajo e këshilloi atë si hap të parë të kërkojë një takim zyrtar dypalësh gjatë vizitës së Ministrit të Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, në Sofje javën e ardhshme, përcjell Telegrafi Maqedoni.
“Pra, do të përpiqem të jem specifik në lidhje me pyetjen tuaj dhe do të dal nga fjalori formal diplomatik. Mora këshillë nga Presidentja që javën e ardhshme Ministri ynë i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme të jetë në Sofje, arsyeja për këtë është Korridori 8 dhe projektet që po lëvizim brenda atij Korridori 8, për t’i kërkuar pritësit një takim në baza dypalëshe. Menjëherë i kërkova Ministrit të dërgonte një notë diplomatike dhe të kërkonte një kohë për një takim dhe një takim me kolegun e tij dhe le të fillojmë, le ta zhvendosim procesin nga diku”, tha Mickoski.

