Makineritë që po përdoren për ndërtimin e stadiumit të Shkëndijës në Haraçinë janë përfshirë nga zjarri, ndërsa rasti tashmë po hetohet nga organet kompetente, njoftoi kryetari i Komunës së Haraçinës, Daut Beqiri.
Beqiri kërkoi zbardhjen sa më të shpejtë të rastit dhe nxjerrjen e përgjegjësve para drejtësisë, duke theksuar se incidenti nuk do ta ndalë ndërtimin e stadiumit.
“Një gjë duhet të jetë e qartë: nuk na ndal askush. Punimet do të vazhdojnë, projekti do të përfundojë dhe stadiumi i Shkëndijës do të ndërtohet”, deklaroi Beqiri.
Ai tha se Haraçina ka pritur dekada për realizimin e këtij projekti dhe se as presionet, kërcënimet apo pengesat nuk do ta zmbrapsin.

