E nderuara redaksi, Unë, Naser Murtezani, prind i një nxënësi në Shkollën Fillore Komunale “Liria” në Jabollçisht të Epërm, Komuna e Çashkës, po ju drejtohem me shpresë se përmes portalit tuaj, zëri ynë si prindër do të dëgjohet, pasi dyert e shkollës për ne janë mbyllur. Çfarë po ndodh në shkollën tonë? Në Sh.F.K. “Liria” mësimi ka funksionuar gjithmonë në dy ndërrime: cikli lëndor (klasa VI-IX) paradite dhe cikli klasor (klasa I-V) pasdite. Kjo është praktika në shkollën tonë. Por, prej vitit të kaluar, kjo praktikë u prish: Vitin e kaluar 2024/2025, kur djali im Nasri Murtezani ishte në klasën e parë, fëmijët e klasës së parë nuk futeshin as në ndërrimin e parë, as në të dytin, por u lanë të fillojnë në orën 10:00, në një orar të improvizuar. Këtë vit 2025/2026, situata u bë edhe më absurde. Fëmijët e klasës së dytë, pra 7-8 vjeçarë, detyrohen të fillojnë mësimin në orën 08:00, në të njëjtin ndërrim me djem dhe vajza të klasës së IX-të, 15 vjeçarë. Pyesim: A është normale që një fëmijë i klasës së dytë të ndajë tualetet, oborrin, korridoret dhe pushimin me ato të klasës se IX-të? Ku është siguria? Ku është pedagogjia? Ku është interesi më i mirë i fëmijës? Kërkesat tona injorohen, interesi privat mbi interesin e fëmijës. Ne si prindër kemi kërkuar nga drejtori i shkollës edhe vitin e kaluar, edhe këtë vit. Asnjë përgjigje. Asnjë takim. Asgjë. Pse hesht drejtoria? Sepse, siç mësojmë nga mësuesit brenda shkollës, i gjithë ky orar absurd bëhet vetëm për një arsye: Mësuesi i klasës nuk dëshiron të punojë pasdite, për arsye private. Pra, për rehatinë e një individi, sakrifikohen dhjetëra fëmijë. Ky nuk është më problem i një prindi, është problem sistematik. Është shkelje e Ligjit për Arsim Fillor. Apeli im publik: Përmes gazetës suaj, i bëj thirrje: 1. Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës dhe Inspektoratit Shtetëror të Arsimit të vijnë urgjentisht në Jabollçisht të Epërm dhe të shohin këtë skandal. 2. Komunës së Çashkës si themeluese e shkollës, të marrë përgjegjësi. 3. Të gjithë prindërve të tjerë që kanë frikë të flasin, të bashkohen me ne. Nuk kërkojmë asgjë të jashtëzakonshme. Kërkojmë vetëm që fëmijët tanë të kenë një orar normal, si gjithë fëmijët tjerë në Maqedoni. Nëse sot heshtim për klasën e dytë, nesër do të na vijë radha për klasën e tretë dhe të katërt. Faleminderit që na jepni hapësirë. Me respekt, Naser Murtezani, në emër të shumë prindërve të shqetësuar f. Jabollçisht i Epërm, Komuna e Çashkës

