Pas aktgjykimit dënues ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit nga Gjykata Speciale në Hagë, platforma qytetare “Liria Ka Emër” ka kërkuar reagim dhe koordinim të institucioneve të Kosovës.
Përfaqësuesi i kësaj platforme, Ismail Tasholli i ka bërë thirrje spektrit politik, diplomatëve, shoqërisë civile, ekspertëve dhe mërgatës të bëhen pjesë e një përpjekjeje të koordinuar lidhur me këtë proces.
“Sot nuk jemi këtu për pushtet e opozitë. Nuk jemi këtu për të hapur betejat e djeshme politike. Sot duhet të jemi bashkë. Përpara nesh është një proces vendimtar dhe një fazë e re juridike. Prandaj kërkojmë që institucionet e Republikës së Kosovës të veprojnë me përgjegjësi, koordinim dhe transparencë. Qeveria duhet të na tregojë qartë: Cili është plani?
Cila është strategjia shtetërore? Çfarë mbështetjeje juridike dhe financiare do të ofrohet? Çfarë do të bëjë diplomacia e Kosovës? Si do të angazhohen institucionet akademike dhe ekspertët ndërkombëtarë?”, tha ai.
Tasholli bëri thirrje që sa më parë të ftohet një mbledhje e përbashkët e Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Shqipërisë.
“Me një pikë të rendit të ditës, mbështetjen institucionale për mbrojtjen e luftës së UÇK-së dhe sigurimin e financimit të nevojshëm për mbrojtjen juridike. Sepse, në këto momente nuk duhet të ketë Prishtinë e Tiranë që shikojnë larg njëra-tjetrën. Duhet të ketë një tavolinë, një koordinim dhe një përgjegjësi të përbashkët institucionale”, kërkoi Tasholli.
Ndërsa, përfaqësuesja tjetër e LKE-së, Eliza Hoxha njoftoi se më 1 tetor do të organizohet marshi i madh “JO NË EMRIN TIM”, në mbështetje të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
“Data nuk është zgjedhur rastësisht. Më 1 tetor 1997, studentët e Kosovës dolën në rrugë në një protestë paqësore që mbeti një nga momentet simbolike të rezistencës qytetare. Më 1 tetor, ne do të dalim përsëri paqësisht, me një mesazh të përbashkët: JO NË EMRIN TIM. Më 10 tetor, kjo thirrje do të vazhdojë në Bruksel, së bashku me mërgatën tonë. Kosova brenda dhe Kosova jashtë do të flasin me një zë”, tha Hoxha.

