Franca u ka bërë thirrje shtetasve të saj në Kosovë që të tregojnë kujdes dhe vigjilencë gjatë ditës së nesërme, më 16 shtator.
Sipas një njoftimi të Ministrisë së Jashtme në Paris, ky paralajmërim vjen për shkak të tubimeve të mëdha politike që pritet të zhvillohen në qytete të ndryshme të vendit.
“Tubime – Thirrje për vigjilencë. Më 16 shtator, duke filluar nga ora 10:00, janë planifikuar tubime të mëdha politike në të gjitha qytetet e Kosovës. Shtetasit francezë këshillohen të qëndrojnë larg këtyre tubimeve. Ata duhet të shmangin udhëtimet jo të domosdoshme brenda qyteteve dhe në gjithë vendin deri në fund të ditës”, thuhet në njoftim.
Nesër, në Gjykatën Speciale, në Hagë, do të shpallet aktgjykimi në rastin “Thaçi dhe të tjerët” .
Edhe përfaqësi tjera diplomatike dhe misione ndërkombëtare u kanë kërkuar punëtorëve dhe shtetasve të vendeve ose organizatave që përfaqësojnë ata, të shmangin tubimet dhe udhëtimet ose daljet e panevojshme jashtë.

