Pesë ish-kryetarë bashkish në Turqi, të gjithë nga radhët e Partisë Republikane Popullore (CHP), janë dënuar me burgime nga disa muaj deri në më shumë se 23 vjet, pas gjyqeve për akuza korrupsioni. Një gjykatë në Stamboll shpalli të hënën vendimin ndaj zyrtarëve të opozitës, të cilët ishin arrestuar gjatë gjysmës së parë të vitit 2025, në kuadër të një vale hetimesh ndaj përfaqësuesve të CHP-së.
Dënimin më të rëndë e mori Riza Akpolat, ish-kryetar i bashkisë së Besiktasit në Stamboll. Ai u shpall fajtor për korrupsion, pastrim parash dhe parregullsi në prokurimet publike dhe u dënua me 23 vjet e tre muaj burg. Akpolat u lirua nga akuza për anëtarësim në një organizatë kriminale. Para gjykatës, Akpolat deklaroi se është i pafajshëm dhe se ndaj tij nuk ka prova të pakundërshtueshme, duke i cilësuar akuzat si të bazuara në deklarata shpifëse.
Ndërkohë, kryetari i bashkisë së Adiyamanit u lirua nga akuzat. Një tjetër zyrtar i opozitës, i zgjedhur në vitin 2024 në një nga periferitë më të mëdha të Stambollit, u dënua me tetë muaj burg me kusht për shpërdorim të pushtetit nga pakujdesia. Në të njëjtin proces, biznesmeni Aziz Ihsan Aktas, dëshmitë e të cilit kishin implikuar disa politikanë të opozitës, u lirua nga akuzat. Ai fillimisht përballej me një dënim që mund të arrinte deri në 280 vjet burg.
Presioni ndaj CHP-së
Vendimet e fundit vijnë në një periudhë kur CHP-ja po përballet me një valë arrestimesh dhe hetimesh ndaj kryetarëve të bashkive të zgjedhur nga opozita. Partia kishte shënuar një fitore të rëndësishme ndaj AKP-së së Presidentit Recep Tayyip Erdogan në zgjedhjet lokale të vitit 2024. Megjithatë, që prej atëherë, dhjetëra kryetarë bashkish të CHP-së janë arrestuar ose larguar nga detyra.
Një nga figurat kryesore të opozitës, kryebashkiaku i Stambollit Ekrem Imamoglu, u arrestua ndërsa përgatitej të kandidonte për zgjedhjet presidenciale të vitit 2028. Arrestimi i tij për akuza korrupsioni, të cilat ai i mohon, shkaktoi protesta të mëdha në Turqi dhe riktheu debatin mbi presionin politik ndaj opozitës.
© BalkanWeb

