Deputetja e Aleancës, Time Kadrijaj, ka deklaruar në emisionin “Jehona Politike” se do ta gjuante sërish me vezë kryeministrin në detyrë dhe kreun e LVV-së, Albin Kurtin.
Megjithatë, Kadrijaj tha se nuk do ta kishte bërë një veprim të tillë nëse do të ishte konstituuar Kuvendi.
“Nëse kish ndodhur konstituimi, unë po them që nuk do të kisha gjujt. Po, do e kisha përsëritur edhe nëse kthehem prapë, nuk them që s’do e kisha gjuajtur. Nuk ka arsye zoti Kurti me sabotuar dhe me shkel Kushtetutën për shkak se ka qenë një aksion simbolik me vezë”, tha Kadrijaj.
Ajo shkoi edhe më tej, duke thënë se “ushtarët dhe militantët e zotit Kurti kanë sulmuar edhe me zolla institucionet”.
“Duke e ditur të kaluarën e zotit Kurti edhe të ushtarëve të zotit Kurti, të militantëve të zotit Kurti, se çfarë kanë bërë, kanë sulmuar me zolla edhe institucionet, kanë gjuajtur me gjuhë arrogante, por megjithatë asnjëherë seancat nuk janë ndërprerë dhe kjo është minimumi që ka mundur me e marrë zoti Kurti, një aksion që është më i vogli në krahasim me atë çfarë ka bërë ai”, shtoi deputetja e Aleancës.
Kadrijaj sqaroi se cak i saj kishte qenë vetëm Albin Kurti dhe jo deputetët e tjerë të LVV-së, pasi, sipas saj, përgjegjës për situatën është kreu i kësaj partie.
“Unë cak e kam pas Albin Kurtin edhe jo deputetë të tjerë. Se në raste të caktuara, përderisa deputetët e tjerë kanë dalë përpara, unë kam mund me e gjuajt edhe zotin Dehari, por nuk kam dashur sepse unë mendoj që shkelësi i Kushtetutës dhe të gjitha këto veprimet që po i bënë, e kanë një emër, është Albin Kurti dhe jo deputetët e tij”, theksoi deputetja e Aleancës.

