Parlamenti turk ndërmori një “hap të rëndësishëm” këtë javë si pjesë e procesit “Turqia pa Terror”, tha të enjten Presidenti Rexhep Tajip Erdogan, duke iu referuar miratimit të Projektligjit për Forcimin e Solidaritetit Kombëtar dhe Kohezionit Social.
Komentet e Erdoganit pasuan një takim në kompleksin presidencial me familjet e ushtarëve turq të vrarë në sulmet e kaluara terroriste të PKK-së dhe veteranët.
“Këtë javë, Parlamenti ynë ndërmori një hap të rëndësishëm në procesin “Turqia pa Terror” që po ndjekim me qëllim që ta çlirojmë vendin tonë nga plaga e terrorizmit”, tha Erdogan në platformën turke të mediave sociale NSosyal.
Projektligji për Forcimin e Solidaritetit Kombëtar dhe Kohezionit Social i miratuar të hënën përcakton procedurat për pezullimin e hetimeve, ndjekjeve penale, dënimeve dhe procedurave të lidhura pasi autoritetet përcaktojnë se organizatat terroriste PKK/KCK dhe grupet e lidhura me to kanë përfunduar aktivitetet e tyre dhe kanë dorëzuar armët e tyre.
“Atdheu në të cilin jetojmë të lirë, në paqe dhe të sigurt është një trashëgimi që na është besuar nga dëshmorët dhe veteranët tanë. Familjet e dëshmorëve tanë të çmuar, të cilët sakrifikuan jetën e tyre dhe derdhën gjakun e tyre për të mbrojtur unitetin dhe integritetin territorial të këtij vendi, janë gjithashtu nën kujdesin tonë”, tha Erdogan.
“Me këtë mirëkuptim, deri më tani kemi mobilizuar të gjitha burimet e shtetit tonë për të mbështetur familjet e dëshmorëve dhe veteranët tanë”, tha ai.
“Duke vepruar me durim, gjykim të shëndoshë dhe qetësi, ne do ta çlirojmë përgjithmonë Turqinë nga” terrorizmi, shtoi Erdogan./ AA.
© SYRI.net

