Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka publikuar listën e detajuar të mostrave me mospërputhje të evidentuara gjatë kontrolleve zyrtare në sektorin e qumështit.
Sipas tabelës së prezantuar në konferencë për media, në mesin e produkteve ku është konstatuar prania e vajit të palmës figuron edhe qumështi i kompanisë VITA, raporton lajmi.net.
Në tabelë, te kolona “Mospërputhja”, për produktet e kompanisë VITA shënohet se është “vaj palme i detektuar, jo i deklaruar”, që nënkupton se analizat laboratorike kanë konstatuar praninë e vajit të palmës, ndërsa kjo nuk ishte e deklaruar në etiketën e produktit.
Lista e publikuar nga AUV përfshin edhe kompani të tjera, përfshirë ALDI, Abi SH.P.K. dhe Abrazen L.L.C., ku në disa produkte janë evidentuar mospërputhje të ngjashme, si prania e vajit të palmës dhe në raste të caktuara edhe e yndyrave bimore të padeklaruara.
Sipas rezultateve të prezantuara nga AUV, gjatë aksionit janë analizuar 495 mostra, ndërsa janë identifikuar gjithsej 93 mospërputhje, prej të cilave 46 kanë të bëjnë me praninë e vajit të palmës.
Kontrollet e AUV-it në qumështoren VITA u zhvilluan më 2 korrik 2026, kur inspektorët kryen një aksion në objektet e kompanisë në Istog. Gjatë inspektimit u morën mostra të qumështit UHT, qumështit pluhur dhe vajit të palmës për analiza laboratorike, ndërsa AUV njoftoi se ishin konstatuar edhe mospërputhje gjatë kontrollit fizik.
Pas më shumë se një muaji, AUV publikoi rezultatet e analizave laboratorike, ku në listën e mostrave me mospërputhje figurojnë edhe produkte të kompanisë VITA, për të cilat është evidentuar prania e vajit të palmës të padeklaruar./Lajmi.net/

