Debati rreth zbatimit të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve në provimin e jurisprudencës ka nxitur reagime të ashpra nga lëvizja studentore, ndërsa ekzekutivi po përgatitet të shqyrtojë propozimet e ekspertëve.
Një nga udhëheqësit e lëvizjes studentore të protestave për gjuhën shqipe, Mevlan Ademi, përmes një reagimi publik në rrjetet sociale, ka prerë çdo mundësi për kompromis, duke theksuar se çdo tentativë për të ofruar një zgjidhje të pjesshme, apo një rrugë anash ligjit është plotësisht e papranueshme.
Ai ka nënvizuar se gjuha shqipe nuk mund të trajtohet si favor apo temë negociatash, pasi bëhet fjalë për një të drejtë të garantuar me Kushtetutë dhe me ligj.
“Çdo tentativë për të ofruar një zgjidhje të pjesshme, një ‘semi-zgjidhje’ apo një rrugë anash Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve është e papranueshme. Gjuha shqipe nuk është çështje negociate. Nuk është favor. Nuk është kompromis. Është e drejtë kushtetuese dhe ligjore”, theksoi Ademi.
Ndërkaq, Kryeministri Hristijan Mickoski ka bërë të ditur se ende nuk e ka parë propozimin e grupit të ekspertëve kushtetues, por njoftoi se kjo temë do të diskutohet javën e ardhshme, saktësisht të hënën, në një mbledhje të dakorduar në kabinetin e tij për prezantimin e propozimit.
Ky zhvillim vjen pas paralajmërimit të Zëvendëskryeministrit të parë, Bekim Sali, i cili bëri të ditur se pjesa teorike e provimit do të mund të jepet në shqip me kërkesë të kandidatit, ndërsa pjesa praktike do të mbetet në maqedonisht, me arsyetimin se dokumentet gjyqësore janë vetëm në atë gjuhë.
Edhe pse ekzekutivi ka paralajmëruar se kjo zgjidhje fillimisht do të dërgohet në Komisionin e Venecias, studentët insistojnë se nuk ka nevojë për zgjidhje të reja ligjore, por kërkojnë që thjesht të zbatohet plotësisht Ligji për Përdorimin e Gjuhëve.(INA)

