Urime të shumta nga kreu shtetëror dhe partitë politike për festën e Kurban Bajramit. Presidentja Gordana Siljanovska Davkova në urimin e saj theksoi se dallimet duhet kthyer në urë e jo të shndërrohen në pengesë.
“Në momente dallimesh dhe sfidash, njihet dhe matet integrimi i shoqërisë. Vetëm përmes mirëkuptimit, respektit të ndërsjellë, dallimet mund të jenë përparësi e jo dobësi”, tha Gordana Siljanoska Davkova, Presidente.
Kryeministri Hristijan Mickoski dhe kreu i Kuvendit Afrim Gashi theksuan se vetëm së bashku mund të ndërtohet një e ardhme më të mirë për qytetarët.
“Në frymën e festës, le të vazhdojmë së bashku të ndërtojmë një shoqëri të mirëkuptimit, unitetit dhe respektit, ku dallimet janë forca jonë, ndërsa bashkimi e ardhmja jonë”, theksoi Hristijan Mickoski, Kryeministër
“Kurban Bajrami është thirrje për më shumë unitet, paqe dhe harmoni tonë, duke forcuar besimin se së bashku mund të ndërtojmë një të ardhme më të mirë për të gjithë qytetarët”, tha Afrim Gashi, Kryetar i Kuvendit.
Festën e Kurban Bajramit e uruan edhe bashkëkryetarët e VLEN-it, Izet Mexhiti e Bilall Kasami.
“Kjo ditë na rikujton se forca më e madhe e njeriut gjendet te dora që ndihmon dhe te shpirti që bën mirë”, thotë Izet Mexhiti, Bashkëkryetar i VLEN-it.
“Kjo festë e shenjtë na rikujton vlerat më të larta njerëzore, solidaritetin, sakrificën, mëshirën dhe kujdesin për njëri-tjetrin”, tha Bilall Kasami, Bashkëkryetar i VLEN-it.
Paqe, mirësi e unitet uruan edhe krerët e opozitës, Ali Ahmeti dhe Venko Filipçe.
“Uroj që festat t’i kremtojmë gjithmonë së bashku, me zemër të hapur dhe me suksese të përbashkëta për të ardhmen tonë”, tha Ali Ahmeti, Kryetar i BDI-së.
“Kjo festë e madhe na kujton se vlerat e vërteta qëndrojnë te solidariteti, dora e shtrirë dhe gatishmëria për t’i ndihmuar secilit”, theksoi Venko Filipçe, Kryetar i LSDM-së./Alsat.mk.

