Në një lagje të Shkupit, gjatë mbrëmjes së sotme është kapur një ujk, i cili dyshohet se është mbajtur në mënyrë të paligjshme si kafshë shtëpiake, me rrip dhe zinxhir.
Për rastin janë njoftuar menjëherë institucionet kompetente, ndërsa ujku aktualisht ndodhet nën përkujdesjen e shërbimeve të Kopshtit Zoologjik të Shkupit.
Lidhur me këtë rast ka reaguar edhe kryetari i Komunës së Shkupit, Orce Gjorgjievski, i cili e ka cilësuar ngjarjen si akt të papërgjegjshëm dhe rrezik serioz për sigurinë e qytetarëve.
“Nuk mund ta besoj se ende ekzistojnë individë kaq të papërgjegjshëm, të cilët në këtë mënyrë trajtojnë kafshët e egra, duke rrezikuar njëkohësisht sigurinë e bashkëqytetarëve të tyre. Kjo nuk është vetëm papërgjegjësi, por rrezik serioz për të gjithë rrethinën”, ka theksuar Gjorgjievski.
Ai kërkoi që institucionet të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme dhe ta zbardhin plotësisht rastin.
“Në Shkup duhet të ketë rend. Duhet të ndërtojmë një shoqëri më humane, më të sigurt dhe më të përgjegjshme, ku ligjet vlejnë për të gjithë, ndërsa kafshët trajtohen me kujdes e dinjitet, dhe jo si objekte për keqtrajtim apo abuzim”, ka shtuar Gjorgjievski.

