Koalicioni VLEN sot ka reaguar ndaj qëndrimit të BDI-së, e cila doli kundër shfuqizimit të qeverisë teknike.
Nga atje thonë se qëndrimi i BDI-së është hipokrizi e pastër dhe përpjekje për të shtrembëruar realitetin politik. Qeveria teknike nuk ishte ndonjë standard demokratik për t’u mbrojtur sot, por një zgjidhje emergjente e imponuar nga një krizë e thellë politik, krizë që erdhi si rezultat i bashkëqeverisjes së komprometuar dhe skandaleve të rënda ku BDI ishte pjesë, në partneritet me regjimin e Nikolla Gruevskit.
“Le të kujtojmë pse u krijua kjo qeveri: për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme në një moment kur shteti ishte i kapur nga përgjime masive, abuzim me pushtetin dhe një krizë e thellë besimi. Pra, ishte një mekanizëm i përkohshëm për të rikthyer minimumin e demokracisë, jo një model për t’u ruajtur pafundësisht.
Sot, BDI përpiqet ta paraqesë atë si “arritje që duhet mbrojtur”, duke fshehur faktin se vetë ishte pjesë e problemit që e bëri të nevojshme një zgjidhje të tillë. Madje, në vitin 2023, po e njëjta BDI ka dhënë miratim për heqjen e qeverisë teknike. Andaj lind pyetja e drejtpërdrejtë: a u konsultua BDI-ja me ndërkombëtarët kur kërkoi heqjen e Qeverisë teknike në vitin 2023?
Konteksti i vitit 2015 nuk ekziston më. Nuk jemi më në atë realitet krizash politike, tensionesh sigurie dhe kolapsi institucional. Përkundrazi, sot me qeverisjen e VLEN kemi një realitet tjetër: procese zgjedhore të njohura ndërkombëtarisht, mbikëqyrje më të fortë institucionale dhe standarde më të larta demokratike. Si anëtare e NATO-s, vendi ka hyrë në një fazë të re stabiliteti dhe përgjegjësie shtetërore. Madje, zgjedhjet lokale të vitit të kaluar u vlerësuan si ndër më demokratiket në historinë e vendit.Kjo e bën qeverinë teknike jo vetëm të panevojshme, por edhe të tejkaluar. Të insistosh sot në një mekanizëm krize është përpjekje për të mbajtur peng zhvillimin demokratik dhe për të shmangur përgjegjësinë në një sistem normal politik”, thonë nga VLEN./Telegrafi/

