Shkup, 20 prill – Koalicioni VLEN ka reaguar ashpër ndaj çështjes së moslejimit të dhënies së provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe, duke drejtuar akuza të drejtpërdrejta ndaj BDI-së për dështim të qëllimshëm institucional.
Në reagimin e saj, VLEN thekson se për vite me radhë Ministria e Drejtësisë është udhëhequr nga kuadro shqiptarë, duke përmendur emrat e ish-ministrave Blerim Bexheti, Adnan Jashari, Valdet Xhaferi, Bilen Saliu dhe Krenar Lloga. Sipas tyre, pavarësisht pesë mandateve dhe mundësive të shumta, asnjë prej tyre nuk ka ndërmarrë hapa konkretë për të mundësuar përdorimin e gjuhës shqipe në këtë provim.
“Pesë ministra, pesë mandate dhe pesë mundësi për ta ndrequr një padrejtësi, por studentët shqiptarë mbetën sërish të përjashtuar”, thuhet në reagim.
VLEN thekson se dokumenti i nënshkruar nga ish-kryeministri Talat Xhaferi, sipas tyre, dëshmon qartë përjashtimin e shqipes nga provimi i jurisprudencës. Më tej, ata nënvizojnë se ligji përkatës është miratuar edhe me mekanizmin e Badenterit, që nënkupton se ka marrë mbështetje edhe nga deputetët shqiptarë të kohës.
Sipas këtij koalicioni, kjo situatë “zhvesh deri në palcë” politikën e BDI-së, duke e akuzuar atë për mospërputhje mes deklaratave publike dhe veprimeve institucionale.
“Në opinion paraqiten si mbrojtës të interesave shqiptare, ndërsa në institucione kanë votuar dhe firmosur kundër tyre”, thekson VLEN, duke shtuar se problemi nuk ka qenë mungesa e pushtetit apo e votave, por mungesa e vullnetit politik.
Në fund, VLEN akuzon se shqiptarët janë trajtuar nga BDI vetëm si burim votash, ndërsa interesat e tyre reale janë anashkaluar në proceset vendimmarrëse.

