Është zbardhur për herë të parë regjistrimi i seancës gjyqësore, Veliaj- Dado në Gjykatën Administrative. Kryetari i Bashkisë së Tiranës e ka paditur prokurorin që e ka hetuar Ols Dadon, pasi pretendon se ky i fundit është emëruar në mënyrë të paligjshme në vitin 2008.
Veliaj gjatë gjyqit u shpreh se ai mund të jetë i vetmi njeri në Shqipëri që është kallëzuar nga një person që nuk ekziston, duke ngritur dyshime se jemi përpara një kurthi dhe një intrige.
Duke sjellë në vëmendje dekretin e presidentit të kohës Bamir Topi, Veliaj përmes mbrojtësve kërkon nga Administrativja pavlefshmëri absolute të çështjes së tij, ç’ka do shkaktonte rrëzimin e dosjes në tërësi.
Përfaqësuesja ligjore e Presidencës gjatë seancës tha se roli i kreut të shtetit është vetëm të dekretojë, ndërsa i takon prokurorit të përgjithshëm të tregojë mënyrën sesi Ols Dado ka hyrë në sistemin e drejtësisë.

