Shqiptarët e Luginës së Preshevës kanë kërkuar ndihmën e Tiranës zyrtare, pasi po përballen me diskriminim etnik dhe administrativ.
Në Samitin e katërt të Diasporës, kryetar i Këshillit Kombëtar Shqiptar i Luginës së Preshevës pasqyroi padrejtësitë që sipas tij, bëhen ndaj qytetarëve atje.
“Pasivizimi i adresave një fenomen që i privon nga të drejtat bazë, vota, prona deri te qasja e shërbimeve publike. Kjo praktikë kërkon trajtim urgjent serioz dhe institucional. Mos njohja e diplomave, një embargo ndaj së ardhmes, pasi po na privohet çdo e drejtë institucionale e jona”, tha Enkel Rexhepi, kryetar i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Lugina e Preshevës
Ai gjithashtu ngriti alarmin se edhe fondet që vijnë nga Kosova dhe Shqipëria për qytetarët shqiptarë bllokohen.
“Presheva renditet ndër komunat më të varfra të Serbisë. Fondet e Luginës së Preshevës që vijnë nga Kosova dhe Shqipëria janë bllokuar dhe kjo ka dëmtuar rëndë sektorin ekonomik si bujqësia, por jo vetëm”, shtoi Rexhepi.
Pjesë e samitit ishte dhe kryetari i kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, i cili adresoi dhe çështjen e gjuhës shqipe.
“Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut kanë aspirata që gjuha shqipe të jetë zyrtare dhe e barabartë, por ligjet aktuale në fuqi nuk e mundësojnë këtë. Mendoj që sa më shumë që ne e depolitizojmë çështjen e gjuhës shqipe, aq më shumë do arrijmë te zyrtarizimi i saj. Që gjuha shqipe të jetë e barabartë me atë maqedonase askujt nuk i bën dëm, është në interes të republikës së Shqipërisë dhe të gjithë qytetarëve”, tha Afrim Gashi, kryetar i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut.
Në një deklaratë për mediat, Gashi sqaroi se autoritetet qeveritare të Maqedonisë së Veriut kanë konfirmuar se është ngritur grupi i punës për t’u marrë me këtë çështje.

