Emërimi i Skënder Hitës, si Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka shkaktuar debat mes deputetëve të opozitës dhe Ministrit të Brendshëm, Besfort Lamallari, në seancën plenare të kësaj të enjteje.
Në fjalën e tij, deputeti Klevis Balliu tha se emërimi i Hitës në krye të policisë së Shtetit dihej prej ditësh.
“Tre ditë më parë dihej se Skënder Hita do të emërohej drejtor i Policisë. U zyrtarizua një krim i radhës”, tha Balliu.
Ndërkohë, reagimi i menjëhershëm ishte nga ministri Lamallari, i cili vlerësoi figurën e Hitës si një drejtues profesionist dhe oficer karriere. Ai tha se konkurimi për Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit ishte një konkurs i pastër dhe i monitoruar edhe nga ndërkombëtarët.
Sipas Lamallarit, fatkeqësia e madhe për çdo oficer është se do të mallkohet nga kjo opozitë, e cila ka si mision vetëm përbaltjen.
“Duke qenë se nuk i shpëtuam as kësaj radhe akuzave për Policinë e Shtetit. Edhe pse vetëm sot është miratuar vendimi i qeverisë për caktimin në detyrë të zotit Skënder Hitaj. Për fatin e keq të zotit Hita dhe çdokujt që do të vijë, do të ketë në kurriz edhe akuzat e opozitës. Në fakt, Policisë së Shtetit i duhet dhënë mbështetje dhe besim. Zoti Hita në fakt është oficer karriere. Kam pasur rastin të bashkëpunoj me të prej 9 vitesh. Ka qenë drejtues në disa qarqe të vendit, ku ka spikatur për profesionalizmin dhe për përkushtimin ndaj uniformës. Jam i lumtur që një ndër kandidatët më të vlerësuar, edhe nga ndërkombëtarët, ka spikatur për kontributin e tij. Sigurisht që edhe zoti Hitaj dhe paraardhësit janë mësuar tashmë se gjithçka bëhet politike. Edhe vetë Policia e Shtetit politizohet. Çfarëdo që ata të bëjnë, do të kenë mallkimin e pashmangshëm të kësaj opozite që ka mision vetëm të hedhë baltë dhe të institucionalizojë dhunën. Jo vetëm për fatin e keq të policisë, por edhe të shqiptarëve që janë në një moment të rëndësishëm për mbylljen e negociatave. Duke qenë se këtu çdo gjë politizohet, i vetmi faj që ka çdo punonjës i policisë është që deputeti në fjalë, qëkur u thirr “Bukurosh”, ka bërë obsesion dhe përdor për politikë bajate dhe ordinere emrin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë. Ai duhet uruar, dhe çdo punonjës i policisë duhet mbështetur, jo që në protesta të hidhni Molotov”, u shpreh Lamallari.

