Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar ndaj qëndrimit të Avokati i Popullit i Maqedonisë së Veriut lidhur me përdorimin e gjuhës shqipe në provimet shtetërore për jurisprudencë, noteri dhe përmbarim, duke e cilësuar atë si interpretim të papranueshëm dhe juridikisht të pabazuar.
Në një konferencë për media, deputeti i BDI-së, Ilir Hasani, theksoi se qëndrimi i institucionit në fjalë cenon drejtpërdrejt një të drejtë të garantuar me Kushtetutë dhe ligj.
“Është e papranueshme që e drejta për përdorimin e gjuhës shqipe në provime shtetërore të trajtohet si e drejtë që realizohet vetëm me kërkesë të kandidatit. Kjo e drejtë nuk është privilegj, por obligim institucional që duhet të zbatohet automatikisht (ex officio)”, deklaroi Hasani.
Sipas tij, tentativa për ta arsyetuar këtë qasje me nevojën për harmonizim të ligjeve të tjera është e pabazë, pasi Ligji për Përdorimin e Gjuhëve e rregullon qartë këtë çështje dhe obligon institucionet për zbatim të drejtpërdrejtë.
Ai theksoi se BDI vlerëson se interpretime të tilla krijojnë konfuzion juridik dhe pasiguri tek kandidatët, duke përbërë hap prapa në standardet e të drejtave gjuhësore në vend.
Në përfundim, deputeti Hasani theksoi se BDI do të vazhdojë të mbrojë me vendosmëri të drejtat gjuhësore dhe barazinë e qytetarëve, duke kërkuar nga institucionet që të respektojnë dhe zbatojnë në mënyrë të plotë legjislacionin në fuqi.

