Qeveria do të marrë masa të forta në rast se do të abuzohet me çmimet e produkteve bazë. Pas mbledhjes së qeverisë, ministri për Pushtetin Vendor Ervin Demo sqaroi se inflacioni që vjen për shkak të rritjes së çmimit të naftës, po ndikon dhe tek produktet e tjera. Por sipas tij, do të garantohet një mekanizëm që të lehtësohet barra ndaj qytetarëve.
“Nuk mund të flas në detaje, rritja e çmimit të naftës dhe aq më tepër inflacioni që ajo sjell tek produktet në një bazë të gjerë kërkon një kohë të caktuar. Të garantojmë transparencën duke filluar me produktet bazë dhe ato si nafta që të mos ketë spekulim në treg. Qeveria është e gatshme të marrë masat e duhura kur ne gjykojmë që barra për qytetarët është jo e vogël dhe do të marrim masat e duhura nëpërmjet Bordit ose institucioneve të tjera.”, tha ministri Demo.
Ministri Demo komentoi dhe sulmet kibernetike iraniane ndaj Postës Shqiptare, duke bërë të ditur se shërbimet vijojnë normalisht.
“Është duke u zhvilluar analizë nga AKSHI dhe ekspertët e postës shqiptare. Të gjitha shërbimet vazhdojnë normalisht. Nuk ka të dhënë që ka informacione të enkriptuara që janë të paaksesushme nga posta. Duhet të presim raportin e institucioneve.”, shtoi Demo.
Më tej, Ministrja e Shëndetësisë Evis Sala, lajmëroi ngritjen e Komisionit për Çmimet e barnave, që do të monitorojë tregun dhe do të shmangë mungesën e ilaçeve.
“Ky vendim vjen si një përgjigje ndaj një nevoje të hershme për përmirësimin e metodologjisë të përcaktimit të çmimeve të barnave dhe përshpejtimin e procedurave dhe garantimin e furnizimit të qëndrueshëm me barna për qytetarët”, tha Sala.
Ndërkohë, ajo tha se brenda vitit 2027 synohet të rimbursohet trajtimi për personat e prekur nga diabeti i tipit 1, ndërsa sqaroi se koncesioni i sterilizimit tashmë i ka kaluar shtetit dhe po funksionon normalisht./vizionplus.tv

