Deputeti i PD, Ivi Kaso, i ftuar këtë të martë në studion e “Quo Vadis” të moderatores Pranvera Borakaj në Vizion Plus, ka folur mbi protestën e fundit të demokratëve.
I pyetur nga moderatorja Borakaj se çfarë ka fituar PD deri tani nga protestat, Kaso tha se qëllimi është që protestat qytetare të vijojnë deri në arritjen e një qeverie kujdestare që të mund të sigurojë zgjedhje të lira dhe të ndershme në Shqipëri.
Pjesë nga biseda:
Borakaj: Protesta, i vetmi instrument i fortë?
Kaso: Një nga instrumentet që opozita po përdor. Jemi prej kohësh të angazhuar në një dinamikë shumëplanëshe, siç është pjesëmarrja në Kuvend, interpelancat, mocionet, komisionet; pjesa më e madhe janë pamundësuar për shkak të ngushtimit të hapësirës së opozitës në parlament. Një tribunë që e kemi zëvendësuar me foltoren me qytetarët, që ka si synim krijimin e një hapësire lirie për qytetarët dhe për këdo.
Borakaj: Por këtë mund ta bëni në selinë e PD?
Kaso: E kemi bërë për të gjithë dhe për ata që nuk janë të lidhur me aksionin e PD. Në kuadër të këtij angazhimi shumëplanësh, vend zë edhe angazhimi i protestave, të cilat do të jenë më të shpeshta deri në krijimin e kushteve dhe mundësisë për një qeveri jashtë konfliktit të interesit, një qeveri kujdestare që të krijojë kushtet për një garë zgjedhore.
Borakaj: Keni bërë një analizë nga njëra protestë në tjetrën se çfarë ka fituar PD?
Kaso: Pas çdo angazhimi që kërkon kaq shumë shpenzim energjie, sigurisht një analizë e bën çdokush me veten e vet, e aq më tepër një parti serioze. Nisja e ciklit të protestave nuk do të jetë një e vetme; protesta ka një plan afatgjatë për të rrëzuar fasadën e demokracisë në Shqipëri dhe për të sjellë vëmendjen e ndërkombëtarëve dhe të njerëzve të këtij vendi, që kanë një mijë halle, dhe çdo faktor shoqëror që e sheh veten të papajtueshëm me këtë qeveri.

