Gati një vit pas nënshkrimit të Deklaratës së përbashkët trepalëshe në fushën e mbrojtjes nga ministrat e Mbrojtjes së Kosovës, Kroacisë dhe Shqipërisë, u zhvillua takimi i parë trelateral në nivelin e drejtorëve të Politikave të Mbrojtjes dhe Armatimeve.
Ministria e Mbrojtjes së Kosovës bëri të ditur se ky aktivitet përbën një nga veprimet në kuadër të zbatimit të fushave të bashkëpunimit të dakorduara ndërmjet palëve.
Ky institucion ka njoftuar se delegacioni i Kosovës u udhëhoq nga Drejtori i Politikave të Mbrojtjes, Faruk Geci, ku u shkëmbyen mendime lidhur me mundësitë për avancimin e bashkëpunimit të përbashkët në fushën e aftësive mbrojtëse, bashkëpunimin ndërmjet industrive mbrojtëse të vendeve nënshkruese, si dhe hapat e mëtejmë për zbatimin e Deklaratës.
Poashtu, në këtë kuadër, sipas Ministrisë u theksua rëndësia e përpjekjeve të koordinuara për adresimin e sfidave të reja të sigurisë, kërcënimeve hibride dhe rreziqeve të tjera që mund të cenojnë stabilitetin rajonal dhe atë ndërkombëtar.
Deklarata e përbashkët përcakton katër fusha kryesore të bashkëpunimit të mëtejmë trepalësh, të cilat përfshijnë promovimin e bashkëpunimit në fushën e aftësive mbrojtëse dhe industrisë mbrojtëse; rritjen e ndërveprueshmërisë përmes arsimit, trajnimit dhe ushtrimeve të përbashkëta; adresimin e kërcënimeve hibride dhe forcimin e qëndrueshmërisë; si dhe ofrimin e mbështetjes së vazhdueshme dhe të plotë për integrimin euroatlantik.
“Po ashtu, deklarata e përbashkët trepalëshe konfirmoi angazhimin për forcimin e mëtejmë të bashkëpunimit trepalësh në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes ndërmjet Kroacisë, Shqipërisë dhe Kosovës, me synim rritjen e sigurisë dhe stabilitetit në Evropën Juglindore”- njofton Ministria.
Aleanca ushtarake që është firmosur midis Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë më 18.03.2025, nga tre ministrat e Mbrojtjes, Pirro Vengu, Ivan Anushiq dhe Ejup Maqedonci, kishte nervozuar Serbinë.
Presidenti serb, Aleksandër Vuçiq pati reaguar duke thënë se Shqipëria dhe Kroacia e kanë hapur “një garë armësh” – duke nënshkruar Memorandum për bashkëpunim në Mbrojtje me Kosovën. Në Kosovë këto reagime u cilësuan si “agresive dhe kërcënuese” dhe shkelje të Marrëveshjes së Brukselit.
Ndryshe prej Vuçiqit, një zyrtar i Aleancës Euro-Atlantike ka thënë për KALLXO.com se NATO nuk është palë në Deklaratën e nënshkruar mes këtyre tri vendeve dhe si rrjedhojë nuk ka as rol në procesin e konsultimit.
Shqipëria dhe Kroacia, sipas tij, janë kontribues të stabilitetit rajonal në Ballkanin Perëndimor – duke përfshirë përpjekjet e tyre në kuadër të misionit të KFOR-it, të udhëhequr nga NATO.
“Nisma e përmendur është një Marrëveshje trepalëshe. Ne e kemi marrë parasysh atë, por NATO si organizatë nuk është palë në të dhe si e tillë nuk ka pasur një rol në procesin e konsultimit.” – shkruante në përgjigjen e zyrtarit të NATO-s në vitin 2025.
Dy shtetet fqinje, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, në përgjigje për KALLXO.com në mars të vitit 2025, thanë se nuk kanë marrë ftesë për t’u bërë pjesë e saj. Nuk dihet nëse kanë marrë ftesë më pas.
Ndërkohë, presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka theksuar se Serbia, si shtet agresor, tenton ta paraqesë veten si viktimë, duke shfrytëzuar situata që nuk kanë të bëjnë me të.
“Ne kurrë nuk e kemi sulmuar askënd, kurrë nuk kemi tentuar ta pushtojmë asnjë centimetër të një territori të dikujt tjetër. Por, në historinë e kombit tonë, shqiptarët dhe Kosova gjithmonë e ka mbrojtur vetveten dhe do vazhdojmë ta mbrojmë sovranitetin tonë, integritetin territorial, shtetësinë. Marrëveshja trelaterale synon këtë që t’i ndihmojmë njëra-tjetrës për t’i rritur kapacitetet e Mbrojtjes, pra për ta mbrojtur veten e jo ta sulmojmë dikë.” – ka deklaruar ajo për media.
Ministria e Punëve të Jashtme e Serbisë tha se do të kërkojë urgjentisht shpjegime të detajuara nga Ministritë e Jashtme të Shqipërisë dhe Kroacisë. Sipas Beogradit, këto dy shtete, me nënshkrimin e këtij Dokumenti “ndërmorën hapa që minojnë stabilitetin rajonal”.
Serbisë i ka reaguar Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës (MPJD), e cila e ka dënuar ashpër deklaratën e saj – duke e quajtur “agresive dhe kërcënuese” dhe shkelje të Marrëveshjes së Brukselit.
Kryeministri kroat, Andrej Plenkoviq, në anën tjetër ka thënë se nuk ka nevojë të pyesin Serbinë apo NATO-n për Marrëveshjen e fundit ushtarake.
Ai theksoi se Marrëveshja nuk është armiqësore.
“Shpresoj se dikush do të marrë pesë minuta për të lexuar tekstin e Marrëveshjes midis Kroacisë, Shqipërisë dhe Kosovës.” – tha Plenkoviq, duke shtuar se këto janë Marrëveshje të përbashkëta.
Ministria e Jashtme e Kosovës i cilësoi absurde përpjekjet e Serbisë për ta paraqitur veten si “garantuese e paqes në Ballkan”, pasi që asnjë shtet nuk ndikon më shumë në destabilizimin e Ballkanit sesa Serbia.
“Serbia të fokusohet në respektimin e Marrëveshjeve që ka pretenduar se i pranon, të heqë dorë nga ambiciet e saj hegjemoniste dhe të ndërmarrë hapa të vërtetë për t’u bërë një aktor përgjegjës në rajon -duke filluar me njohjen e pavarësisë dhe sovranitetit të Kosovës.” – nënvizon Ministria.
Menjëherë pas nënshkrimit të kësaj Deklarate, kryeministri i Kosovës Albin Kurti e ka cilësuar si një hap të rëndësishëm “për sigurinë dhe paqen në rajon, përmes mbrojtjes, bashkëpunimit dhe bashkërendimit të vendeve tona paqedashëse, me deklaratën trepalëshe për aleancë ushtarake të nënshkruar”.

